Rrëfimet e ushtarëve rusë, si eliminoheshin të “pabindurit”
Katër ushtarë rusë kanë përshkruar brutalitetin, ekzekutimet e menjëhershme dhe torturat brenda radhëve të tyre gjatë shërbimit në vijën e frontit në Ukrainë, sipas një dokumentari të BBC-së. Në “The Zero Line: Inside Russia’s War”, ata pretendojnë se komandantët ekzekutonin rregullisht ushtarë që refuzonin urdhrat, veçanërisht ata që nuk pranonin të merrnin pjesë në të […]
Katër ushtarë rusë kanë përshkruar brutalitetin, ekzekutimet e menjëhershme dhe torturat brenda radhëve të tyre gjatë shërbimit në vijën e frontit në Ukrainë, sipas një dokumentari të BBC-së.
Në “The Zero Line: Inside Russia’s War”, ata pretendojnë se komandantët ekzekutonin rregullisht ushtarë që refuzonin urdhrat, veçanërisht ata që nuk pranonin të merrnin pjesë në të ashtuquajturat sulme frontale, valë të përsëritura këmbësorie të përshkruara nga trupat si misione pothuajse vetëvrasëse.
Dy prej ushtarëve thanë se kanë parë personalisht ekzekutime të kryera nga afër. Njëri kujton se pa katër burra të qëlloheshin pasi refuzuan të ktheheshin në front, ndërsa tjetri përshkroi një komandant që vriste ushtarë vetëm disa metra larg tij.
Një ish-ushtarak, i mobilizuar në vitin 2024, tha se ishte i vetmi i mbijetuar nga një grup prej 79 burrash me të cilët ishte thirrur në shërbim. Ai pretendon se ata që refuzonin urdhrat torturoheshin, iu bëhej elektroshok, liheshin pa ushqim ose poshtëroheshin përpara se të detyroheshin të merrnin pjesë në sulme, ndonjëherë edhe të paarmatosur. Një tjetër ushtar tha se pa trupat e 20 burrave në një hendek pasi dyshohet se ishin qëlluar nga një komandant.
BBC-ja deklaroi se nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet, por raportoi dëshmi të qëndrueshme dhe të detajuara nga katër burrat, të cilët ndodhen tashmë jashtë Rusisë. Qeveria ruse tha se forcat e saj veprojnë me përmbajtje dhe se pretendimet për shkelje hetohen.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vlerëson se më shumë se 1,2 milionë trupa ruse janë vrarë, plagosur dhe kanë humbur që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022. Moska nuk publikon shifra zyrtare për viktimat.