Rritje e ndjeshme e rasteve me grip në vend: piku pritet deri në mes të shkurtit
Nga data 5 deri më 11 janar në vend janë regjistruar 2.322 raste të reja me grip, që përbën një rritje prej 34,6 për qind krahasuar me javën paraprake. Sipas The post Rritje e ndjeshme e rasteve me grip në vend: piku pritet deri në mes të shkurtit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Nga data 5 deri më 11 janar në vend janë regjistruar 2.322 raste të reja me grip, që përbën një rritje prej 34,6 për qind krahasuar me javën paraprake. Sipas Institutit të Shëndetit Publik (IShP), aktualisht ka aktivitet të moderuar të virusit të gripit në mbarë vendin, ndërsa pritet që numrat të vazhdojnë të rriten në javët në vijim.
Shefi i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive në IShP, dr. Dragan Koçinski, deklaroi se këtë sezon rritja e rasteve ka nisur disa javë më herët se parashikimet, ndërsa piku i gripit pritet nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit.
Megjithatë, ai theksoi se për momentin nuk ka nevojë për masa të ashpra, si zgjatja e pushimeve dimërore, pasi aktiviteti i gripit mbetet në nivel mesatar dhe kapacitetet spitalore nuk janë tejmbushur.
“Vërehet rritje e numrit të të shtruarve në spital, si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët, por kjo është e pritshme për këtë periudhë. Komisioni për Sëmundjet Infektive ka mbajtur mbledhje dhe do të nxjerrë rekomandime. Gjatë vizitave në spitale rekomandohet mbajtja e maskave,” tha Koçinski.
Sipas të dhënave, numri më i madh i të sëmurëve është në grupmoshën 15–64 vjeç, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët deri në 14 vjeç. Raste me grip janë raportuar në 25 nga 31 qarqet, me numrin më të lartë në Shkup (556), pasuar nga Tetova (308), Kumanova (266) dhe Ohri (202).
Në pesë qendra rajonale – Dibër, Ohër, Makedonski Brod, Kavadar dhe Negotinë – është regjistruar aktivitet shumë i lartë i gripit.
Gjatë javës së dytë është raportuar edhe një vdekje e lidhur me gripin. Bëhet fjalë për një grua 75-vjeçare nga Shkupi, me sëmundje shoqëruese, e pavaksinuar kundër gripit sezonal, te e cila është konfirmuar gripi A.
Nga fillimi i sezonit në tetor e deri më 11 janar janë regjistruar gjithsej 6.147 raste me grip, që është 2,6 herë më shumë krahasuar me sezonin e kaluar. Dominon virusi i gripit A, nënlloji AH3.
Autoritetet shëndetësore rekomandojnë shmangien e ambienteve të mbipopulluara, ajrosjen e shpeshtë të hapësirave, forcimin e imunitetit dhe qëndrimin në shtëpi në rast simptomash. Masa më efektive parandaluese, sipas IShP-së, mbetet vaksinimi kundër gripit, ndërsa këtë sezon janë vaksinuar mbi 79 mijë persona.
Flaka
The post Rritje e ndjeshme e rasteve me grip në vend: piku pritet deri në mes të shkurtit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .