Serbia kundër aleancës mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës
Aleksandër Vuçiç deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se aleanca ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Prishtinës përbën kërcënim për Serbinë. Vuçiç shkoi më tej duke e konsideruar të rrëzuar tashmë rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën pas ngjarjeve në Venezuelë që sipas tij dëshmuan se rendi publik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së nuk po


Aleksandër Vuçiç deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se aleanca ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Prishtinës përbën kërcënim për Serbinë.
Vuçiç shkoi më tej duke e konsideruar të rrëzuar tashmë rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën pas ngjarjeve në Venezuelë që sipas tij dëshmuan se rendi publik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së nuk po zbatohen më.
“E drejta e më të fortit po dominon botën dhe ky është i vetmi parim politik sot. Shembulli më i mirë i kësaj janë reagimet e zyrtarëve evropianë që kanë interesa të vogla kur bëhet fjalë për Maduron, por në të njëjtën kohë kanë frikë se çfarë do të ndodhë nesër me Groenlandën dhe unitetin evropian. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Rezolutën 1244. Ajo rezolutë është de facto e pezulluar nga fuqitë rajonale si Turqia. Ata po e armatosin me shpejtësi Prishtinën. Një kërcënim i veçantë për sigurinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë është aleanca Prishtinë-Tiranë-Zagreb dhe krijimi i sistemeve të përbashkëta komplekse luftarake mes tyre qe nga automjetet katër me katër e deri tek armët dhe mjetet më të fuqishme”, tha ai.
Vuçiç premtoi se brenda një viti e gjysmë të ardhshëm, Serbia do të dyfishojë kapacitetet e saj ushtarake.
“Duhet që t’i besojmë vetes. Edhe nëse disa nga rajoni janë kundër nesh, askush nuk do të na ndihmojë, përveç vetes sonë. Amerika nuk do të na sulmojë por këta njerëz nga rajoni nuk i krijuan kot ato koalicione. Ata punuan me urdhër të dikujt tjetër. Kjo është arsyeja pse është detyra jonë që të jemi gati. Në këtë moment nuk ka rrezik nga ndonjë agresor potencial, gjë që nuk do të thotë se nuk do të ketë pas disa muajsh ose një viti qe nuk do të ndërmerrnim një aventurë të tillë për të na sulmuar ushtarakisht”, tha Vuçiç.
Vuçiç tha se dëshiron miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk mund të heshtë kur ka shkelje të së drejtës publike ndërkombëtare duke shtuar se populli i Venezuelës ishte me serbët për çështjen e Kosovës.
Sipas tij, presidenti Trump, kishte krijuar një agjenci për dominim në sferën globale të energjisë ndaj amerikanët do të përpiqen të nxjerrin jashtë loje vendet konkurruese kudo, kryesisht Kinën, Rusinë përfshirë edhe Serbinë./tvklan.al
