Shasivari sqaron qëndrimin për Kosovën, reagon ASH: “Deklarata është skandaloze dhe e papranueshme”
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka reaguar pas kritikave dhe interpretimeve të deklaratës së tij lidhur me procesin gjyqësor në Kosovë, duke thënë se fjalët e tij janë tentuar të “shtrembërohen dhe keqinterpretohen”, percjell Gazeta...
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka reaguar pas kritikave dhe interpretimeve të deklaratës së tij lidhur me procesin gjyqësor në Kosovë, duke thënë se fjalët e tij janë tentuar të “shtrembërohen dhe keqinterpretohen”, percjell Gazeta Flaka.
Shasivari ka theksuar se ai nuk e ka mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale dhe as nuk ka kontribuar në sigurimin e votave për të.
“Po shoh tentativa për të shtrembëruar dhe keqinterpretuar fjalët e mia. Është e rëndësishme të theksoj se unë as e kam mbështetur dhe aq më pak ia kam mbledhur votat Gjykatës Speciale, siç kanë bërë Ali Ahmeti e Berat Buzhala, që e pranojnë edhe vetë”, ka deklaruar Shasivari.
Sipas tij, Gjykata Speciale tashmë është një realitet dhe debati duhet të përqendrohet te pasojat dhe mënyra se si ato duhet të përballohen.
“Ajo sot është realitet si pasojë e angazhimit të dikuj. Neve na mbetet të merremi me pasojat”, ka thënë ministri.
Shasivari ka sqaruar se thirrja e tij, sipas tij, ka qenë e motivuar nga interesi i Republikës së Kosovës, imazhi i UÇK-së dhe shqiptarëve.
“Thirrja ime ishte në interes të Republikës së Kosovës, imazhit të pastër të UÇK-së dhe shqiptarëve në përgjithësi”, ka theksuar ai.
Ai u ka bërë thirrje kritikëve që të lexojnë deklaratën e tij në tërësi dhe të mos i atribuojnë qëndrime që nuk i ka shprehur.
“Prandaj, në vend që të më atribuoni diçka që nuk e kam thënë, lexoni atë që kam thënë në të vërtetë”, ka deklaruar Shasivari.
Ministri ka akuzuar gjithashtu kundërshtarët politikë se po përdorin çështje të ndjeshme për përplasje politike.
“Keqinterpretimet dhe shtrembërimet janë pjellë e atyre që përdorin çdo gjë të shenjtë në betejë politike”, ka shkruar Shasivari.
Ndërkohë, ndaj deklaratave të tij ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, e cila e ka cilësuar qëndrimin e ministrit si “skandaloz dhe politikisht të papranueshëm”.
“Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për Kosovën është skandaloze dhe politikisht e papranueshme”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Sipas kësaj partie, Shasivari ka përdorur një gjuhë që, sipas tyre, relativizon kontekstin historik të luftës në Kosovë.
“Në një moment kaq të ndjeshëm për Kosovën, një ministër shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut zgjedh të relativizojë kontekstin historik dhe të përdorë një gjuhë që tingëllon më afër narrativës së Ivan Stoilkoviqit dhe qarqeve proserbe sesa qëndrimit që pritet nga një përfaqësues shqiptar”, thuhet në reagim.
ASH thekson se nuk e konteston pavarësinë e gjyqësorit apo të drejtën e çdo të akuzuari për një proces të drejtë, por kundërshton atë që e konsideron si “simetri artificiale” në trajtimin e luftës së Kosovës.
“Askush nuk e konteston pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtën e çdo të akuzuari për proces të drejtë. Por të flasësh për drejtësi duke krijuar simetri artificiale, pa përmendur agresionin e regjimit të Millosheviqit, masakrat, dëbimet, dhunën dhe mijëra viktimat shqiptare të luftës në Kosovë, është shtrembërim i realitetit historik”, deklaron ASH.
Partia e ka kritikuar veçanërisht përdorimin e nocionit “standard evropian” në deklaratën e ministrit.
“Është veçanërisht shqetësuese që një ministër shqiptar merr përsipër t’i japë Kosovës leksione për ‘standardin evropian’, ndërkohë që Serbia vazhdon të mos përballet plotësisht me të kaluarën e saj dhe krimet e kryera në Kosovë”, thuhet në reagim.
Në fund, ASH ka theksuar se Kosova ka institucionet e veta dhe se, sipas saj, nuk ka nevojë për “moralizime politike” nga Shkupi.
“Kosova ka institucione, ka gjykata dhe ka qytetarë që kanë paguar çmimin më të rëndë për lirinë e tyre. Ajo nuk ka nevojë për moralizime politike nga Shkupi, aq më pak nga një ministër shqiptar që flet me terminologjinë e partnerëve proserbë të kësaj Qeverie”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.
The post Shasivari sqaron qëndrimin për Kosovën, reagon ASH: “Deklarata është skandaloze dhe e papranueshme” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.