Shkolla “Mehmet Gjevori” e mbushur me mbeturina, punëtorët në grevë për shkak të vonesës së pagave

Shtatë punëtorë teknikë në shkollën “Mehmet Gjevori”, në lagjen Arbëria të Prishtinës, tash e pesë ditë nuk po pastrojnë ambientet e shkollës për shkak të vonesës së pagave. Ata kanë hyrë në grevë që nga e marta e javës së kaluar, pasi kompania private e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës nuk i ka paguar ende.

tetor 27, 2025 - 14:00
 0
Shkolla “Mehmet Gjevori” e mbushur me mbeturina, punëtorët në grevë për shkak të vonesës së pagave
Shkolla “Mehmet Gjevori” e mbushur me mbeturina, punëtorët në grevë për shkak të vonesës së pagave

Shkolla “Mehmet Gjevori” e mbushur me mbeturina, punëtorët në grevë për shkak të vonesës së pagave

Shtatë punëtorë teknikë në shkollën “Mehmet Gjevori”, në lagjen Arbëria të Prishtinës, tash e pesë ditë nuk po pastrojnë ambientet e shkollës për shkak të vonesës së pagave.

Ata kanë hyrë në grevë që nga e marta e javës së kaluar, pasi kompania private e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës nuk i ka paguar ende. Si pasojë, 806 nxënësit që zhvillojnë procesin mësimor në këtë shkollë po e kanë të vështirë të qëndrojnë në klasa e korridore për shkak të papastërtisë.

Nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë është bërë e ditur se për këta punëtorë është gjetur një zgjidhje e përkohshme dhe se gjatë ditës së sotme do të paguhet një pjesë e pagës, me ç’rast pritet që ata të rifillojnë punën.

Drejtoresha e shkollës “Mehmet Gjevori”, Vlora Maliqi ka thënë  se punëtorët teknikë nuk po fillojnë punën pa parë pagën në llogaritë e tyre bankare. Ajo ka thënë se nxënësit së bashku me mësueset po largojnë mbeturinat. Sipas saj, higjiena në tualetet e shkollës është në gjendje të mirë, për shkak se po pastrohen tërë kohën.

“Shkolla nuk është pastruar nga punëtorët teknikë që nga dita e martë e javës së kaluar, sot është dita e pestë. Edhe pse ata kanë marrë një përgjigje nga kompania që do t’i rimbursohen sot disa të holla në kuadër të pagës, por pa i pa pagat në llogari nuk po e fillojnë punën. Kur flasim për pastërtinë e shkollës, tulatet janë pastruar vazhdimisht, aty nuk ka pasur arsyeje për të mos pastruar sepse sa herë që kanë grevë, tulatët pastrohen, vetëm pjesa tjetër e shkollës, mbeturinat në klasë. Ne si shkollë jemi organizuar me mësueset, mbeturinat e mëdha që kanë qenë i kemi larguar”, ka thënë Maliqi.

Maliqi ka shtuar se është mbajtur një takim me këshillin e prindërve dhe se porse punëtorët teknikë po mirëkuptohen nga ana e tyre dhe shkollës.

Ndërkohë, drejtori i arsimit në komunën e Prishtinës, Samir Shahini në një përgjigje me shkrim ka thënë se buxheti i kryeqytetit është bllokuar nga Ministria e Financave në detyrë dhe prandaj nuk po paguhen punëtorët teknikë të sektorit privat.

Pas një takimi mes DKA-së dhe kompanisë, kompania sipas tyre, ka bërë zgjidhje të përkohshme që t’u paguhet një pjesë e pagës sot.

“Kjo është pasojë e bllokimit të buxhetit nga ministri Murati i financave. Sidoqoftë, të premten isha në “Mehmet Gjevori”, bisedova me punëtorët, dhe u dakorduam që sot të rifillojnë punën. Në anën tjetër, kompania ka bërë zgjidhje të përkohshme dhe sot ua paguajnë një pjesë të obligimeve punëtorëve. Presim reflektim nga ministri dhe qeveria që mjetet e bllokuara padrejtësisht të komunës, të na barten”, ka thënë Shahini.
Mediat kanë kontaktuar edhe kompaninë private të pastrimit “Laguna”, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq, sot në ora 13:30 punëtorët teknikë të sektorit privat do të protestojnë para objektit të Komunës së Prishtinës./Kosovapress/