Shkup, janë rritur kontrollet në komunikacion: Janë gjobitur 570 shoferë, 150 për tejkalim shpejtësie

Policia në Shkup në katër ditët e fundit po kryen kontrolle të intensifikuara në komunikacion dhe nga rezultatet e publikuara shihet një numër i konsiderueshëm i sanksioneve, raporton Portalb.mk. Informacionin e ka bërë të ditur ministria e Punëve të Brendshme. “Më 07.02.2025, zyrtarët policorë nga SPB Shkup kanë sanksionuar gjithsej 570 vozitës, prej të cilëve […]

shkurt 8, 2025 - 21:00
 0  4
Shkup, janë rritur kontrollet në komunikacion: Janë gjobitur 570 shoferë, 150 për tejkalim shpejtësie
Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Policia në Shkup në katër ditët e fundit po kryen kontrolle të intensifikuara në komunikacion dhe nga rezultatet e publikuara shihet një numër i konsiderueshëm i sanksioneve, raporton Portalb.mk.

Informacionin e ka bërë të ditur ministria e Punëve të Brendshme. “Më 07.02.2025, zyrtarët policorë nga SPB Shkup kanë sanksionuar gjithsej 570 vozitës, prej të cilëve 150 janë gjobitur për tejkalim të shpejtësisë, që është një nga shkaqet më të shpeshta të aksidenteve në komunikacion”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Përveç tejkalimit të shpejtësisë, aktivitetet e kontrollit kanë rezultuar edhe me 22 sanksione për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe 4 raste kur drejtuesit e mjeteve drejtonin mjete me ndalim aktiv.

“Gjithashtu, një drejtues mjeti është kapur duke drejtuar mjetin nën ndikimin e alkoolit, si dhe duke drejtuar një automjet me regjistrim të skaduar. Shumica e sanksioneve të mbetura kanë të bëjnë me parkimin e parregullt ose të paautorizuar, i cili vazhdon të jetë problem i rëndësishëm në trafikun urban në Shkup. Kontrollet vazhdojnë – apel për siguri më të madhe”, shkruan më tutje në njoftim.

Nga MPB zotohen se në ditët në vijim do të vijojnë kontrollet e trafikut sipas planit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë. MPB apelon tek të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e qarkullimit rrugor, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të reduktuar shkeljet dhe për të krijuar rrugë më të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Kujtojmë se, Maqedoninë e Veriut javë më parë e trazoi një aksident i rëndë, ku ndërroi jetë Frosina Kulakova, pasi ishte goditur me veturë në një vendkalim për këmbësor. Para vendkalimit të këmbësorëve të rregulluar me semaforë që punonin në rregull në momentin e aksidentit, shoferi ka vazhduar lëvizjen me semafor të kuq të ndezur dhe ka goditur trupin e këmbësores-viktimës Frosina Kulakova me pjesën e përparme të majtë të veturës.