Shkup, mbahet sërish marsh protestues lidhur me zjarrin në Koçan
Sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u mbajt sërish marsh protestues pas tragjedisë së zjarrit në një klub nate në Koçan muajin e kaluar, nga i cili jetën humbën 61 persona, raporton Anadolu. Ky ishte marshi i katërt i organizuar nga iniciativa “Kush është i radhës?”, gjatë së cilës u kërkua drejtësi dhe […]

Sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u mbajt sërish marsh protestues pas tragjedisë së zjarrit në një klub nate në Koçan muajin e kaluar, nga i cili jetën humbën 61 persona, raporton Anadolu.
Ky ishte marshi i katërt i organizuar nga iniciativa “Kush është i radhës?”, gjatë së cilës u kërkua drejtësi dhe ndryshime në sistem pas tragjedisë në një klub “Pulse” në Koçan më 16 mars.
Dhjetëra protestues marshuan nga ndërtesa e qeverisë drejt Këshillit Gjyqësor, parlamentit dhe Gjykatës Penale.
Aktivistja Anastasija Mitrevska u prononcua para gazetarëve, duke thënë se organizimi i tyre ka për qëllim ndryshimin e sistemit.
“Sot jemi në rrugë që të luftojmë kundër sistemit i cili na bën t’i harrojmë të gjitha tragjeditë. Po ashtu, protestojmë për të gjitha kërkesat e parashtruara deri te opinioni për të cilat autoritetet janë në dijeni, por që çështja më shumë sillet rreth asaj se kush jemi ne e jo rreth kërkesave tona”, tha Mitrevska.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që “ta ngrenë zërin e tyre kundër padrejtësive”.
Pak ditë më parë, iniciativa “Kush është i radhës?” zyrtarisht i dorëzoi kërkesën e parë qeverisë, krijimin e një sistemi “e-inspektorat”, përmes të cilit do të jenë të qasshme të gjitha inspektimet e kryera në vend. Synimi i tyre është t’i njoftojnë qytetarët nëse një objekt i caktuar i është nënshtruar inspektimit dhe nëse është i sigurt.
– Ngjarja
Rreth orës 3:00 pas mesnate më 16 mars, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate, i shkaktuar nga lëndë piroteknike gjatë një mbrëmjeje zbavitëse.
Fillimisht, nga zjarri humbën jetën 59 persona dhe mbi 170 të tjerë u lënduan. Dhjetëra të lënduar u transferuan jashtë vendit për trajtim, përfshirë edhe në Türkiye.
Së fundmi, jetën humbën dy persona të lënduar që po mjekoheshin në Lituani, me çka numri i viktimave u rrit në 61.
Nga hetimet pas ngjarjes rezultoi se objekti në fjalë ishte i palicencuar, ndërsa autoritetet nisën procedura hetimore ndaj dhjetëra personave, mes të cilëve edhe ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli shtatë ditë zie kombëtare pas incidentit.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, dha dorëheqjen pas ngjarjes.