Shkupi feston festat e nëntorit, Mejdani me porosi: Puna jonë nuk është e përfunduar

Në praninë e korit diplomatik në vend, politikanëve dhe figurave të jetës publike në Maqedoninë e Veriut, ambasada shqiptare dhe ambasadori Denion Mejdani mbrëmë në Shkup shënuan 28 nëntorin, ditën e flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë. Nga ky manifestim, ambasadori Denion Mejdani lëshoi edhe disa porosi. Fjalimin e tij, Mejdani e filloi duke u përulur […]

Nëntor 26, 2024 - 15:00
 0  6
Shkupi feston festat e nëntorit, Mejdani me porosi: Puna jonë nuk është e përfunduar

Në praninë e korit diplomatik në vend, politikanëve dhe figurave të jetës publike në Maqedoninë e Veriut, ambasada shqiptare dhe ambasadori Denion Mejdani mbrëmë në Shkup shënuan 28 nëntorin, ditën e flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë.

Nga ky manifestim, ambasadori Denion Mejdani lëshoi edhe disa porosi. Fjalimin e tij, Mejdani e filloi duke u përulur para të gjithë burrave dhe grave që “luftuan” në mbrojtje të identitetit dhe shtetit, të cilët më pas shpallën edhe pavarësinë.

“Me kurajo dhe vendosmëri shpallën mëvetësinë e Shqipërisë. Ajo ditë ishte shumë më shumë se një akt politik; ishte një shpirt i lindur nga shekujt përpjekjesh dhe sakrificash për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar. Ismail Qemali dhe udhëheqësit e tjerë të asaj kohe nuk ngritën vetëm flamurin në atë ballkon historik në Vlorë, por ngritën një komb të tërë nga terri i robërisë dhe pasigurisë drejt dritës së lirisë dhe pavarësisë.” – tha Denion Mejdani.

Ai shtoi se trashëgimia nga të parët nuk është vetëm një amanet, por është një thirrje për të ndërtuar të ardhmen, e cila, sipas Mejdanit, mishëron forcën dhe guximin. Duke folur për të kaluarën, Mejdani foli edhe për aktualitetin dhe miqësinë që ka Shqipëria me Maqedoninë e Veriut.

“Puna jonë nuk është e përfunduar. Ne si rajon jemi të sfiduar nga plagët e së kaluarës dhe presioni i së tashmes. Megjithatë, ne kemi në dorë mundësinë që të ndërtojmë një të ardhme që na bashkon dhe që na forcon. Rajoni ynë ka potencial të jashtëzakonshëm, një rini të shkolluar dhe plot energji dhe ide, një trashëgimi kulturore të pasur dhe burime që presin të zhvillohen. Si shqiptar, jam krenar për historinë dhe trashëgiminë tonë.” – tha Mejdani.

Ndryshe ishte kjo pritja dhe organizimi i parë që organizoi ambasadori Mejdani pas marrjes së postit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. /tvklan.mk/