Shoqata e arkeologëve mbron Pasko Kuzmanin, iu kundërvu gazetarëve Arta Tahiri e Suad Bajrami

Shoqata e Arkeologëve Maqedonas i quan spekulime dhe të pavërteta shkrimet në Alsat në lidhje me gjetjet arkeologjike në Koroshishtë të Strugës. Shoqata mbron Pasko Kuzmanin. Me germa të mëdha thotë se ai asnjëherë nuk ka qenë i dënuar. Iu kundërvu gazetarëve Suad Bajrami e Arta Tahiri për shpifje. Por faktet flasin: Kuzman u dënua […]

Nëntor 18, 2024 - 20:00
 0  6
Shoqata e arkeologëve mbron Pasko Kuzmanin, iu kundërvu gazetarëve Arta Tahiri e Suad Bajrami

Shoqata e Arkeologëve Maqedonas i quan spekulime dhe të pavërteta shkrimet në Alsat në lidhje me gjetjet arkeologjike në Koroshishtë të Strugës. Shoqata mbron Pasko Kuzmanin. Me germa të mëdha thotë se ai asnjëherë nuk ka qenë i dënuar. Iu kundërvu gazetarëve Suad Bajrami e Arta Tahiri për shpifje. Por faktet flasin: Kuzman u dënua me 3 vite burg në rastin “Fallanga 2”, që ka të bëjë me krime me artefakte.

“Tërësisht jemi të tmerruar nga të pavërtetat e thëna në lidhje me Pasko Kuzmanin, kolegun tonë, anëtarë shumëvjeçar dhe kryetar i shoqatës në të kaluarën. Pasko Kuzman ASNJËHERË nuk është dënuar, e aq më pak i dënuar për vjedhje dhe përvetësim të artefakteve”, thonë nga Shoqata e Arkeologëve Maqedonas.

Megjithatë, ndonëse shoqata e arkeologëve e shkruan me shkronja të mëdha se Pasko Kuzman nuk ka qenë ASNJËHERË i dënuar, faktet flasin ndryshe. Alsat ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit Shkup për rastin “Falanga 2”. Lënda, ka të bëjë me një grup të formuar në vitin 2010 i cili ka kryer gërmime arkeologjike nga lokalitetet arkeologjike, ka përvetësuar gjetje arkeologjike, më pas ka ndërmjetësuar dhe i ka shituar në vend dhe jashtë vendit.

Në këtë rast, Pasko Kuzman është njëri prej të akuzuarve, por edhe i dënuar me 3 vjet burg, me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit se Kuzman si i akuzuar në rastin Falanga 2 ka shpërdorur detyrën zyrtare.
Konkretisht, Kuzman në mënyrë të paligjshme u ka dhënë leje për gërmime disa personave fizik që nuk kanë plotësuar asnjë kusht. Madje edhe formalisht lejet nuk kanë qenë ligjore, pasi dokumenti i nënshkruar nga Kuzman nuk parashihet me ligjin ose aktet nënligjore për punën e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Por, megjithatë Kuzman është kujdesur që punimet e këtyre gërmuesve t’i mbrojë Policia, për çka, në kurriz të buxhetit të Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore ka paguar mbi 60.000 euro. Këto para, do të duhej që deri më tani t’i kishte kthyer Kuzmani në shtet ose t’i konfiskohet pasuria në këtë vlerë.

“…si drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore e ka keqpërdorur detyrën zyrtare, kështu në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, dhe me kërkesë të personave fizik të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet për marrjen e lejes, ka lëshuar dokument me shkrim – pajtueshmëri për kryerjen e punëve në dy lokacione, ndërkaq më pas që ta sigurojnë pasurinë, e cila do të gjendet pa bazë ligjore, me shkresë prej 11.11.2011 ka kërkuar asistencë policore për sigurimin e lokacionit që ka kushtuar 6 euro për një orë, kështu që personat fizikë që kanë gërmuar në lokacionet kanë qenë të siguruar që më pas në bazë të njoftimeve me shkrim Drejtoria për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore ka qenë e detyruar që t’i paguajë MPB-së në vlerë prej 3.798.375 denarë në bazë të faturave të lëshuara…”, thiuhet në Vendimi i Gjykatës së Apelit.

Se Pasko Kuzman ka qenë i dënuar nuk e mohoi as ministri i Kulturës Zoran Lutkov në intervistën për Alsat.

“Po për atë e di opinioni, e di se është i dënuar me burg. E dini… Njeriu është i lirë, unë nuk di asgjë, vijë në lokalitet, njeriun e njoh si arkeolog të shquar. Por, i dënuar për krim me artefakte. Nuk e di atë, unë e njoh si… Nuk e dini se është i dënuar? E di, por ai është arkeolog i shquar dhe është ndër më të merituarit për arkeologjinë maqedonase. Ai ishte në vendngjarje atje dhe kisha nderin të përshëndetem”, tha Zoran Lutkov, ministër i Kulturës dhe Turizmit.

I bëjmë thirrje Shoqatës së Arkeologëve, që të informohen nëse nuk manipulojnë qëllimisht opinionin se personi Pasko Kuzman është person jo i dënuar. Informimi i Alsat për çështje me ndjeshmëri dhe interes të lartë në opinion, gjithmonë është objektiv dhe i bazuar në fakte. Ftojmë Shoqatën e Arkeologëve që ata t’i kërkojnë falje publike televizionit Alsat për manipulimet.

Prezenca e Kuzmanit në lokalitetin e gjetjeve epokale arkeologjike në Koroshishtë të Strugës, ka shqetësuar opinionin mu për shkak se Kuzman, ashtu siç e përmendëm paraprakisht është i dënuar me vendim të plotëfquishëm në një lëndë për krim me artefakte.