Sivjet 33 vite nga tragjedia ajrore e Ohrit, dëshmitë që mbajnë gjallë kujtesën dhe pyetjet pa përgjigje

Ohër, 8 shkurt – Një nga ngjarjet më të rënda në historinë e aviacionit në Maqedoninë e Veriut mbetet rrëzimi i avionit të kompanisë “Avioimpex”, më 20 nëntor të vitit…

shkurt 9, 2026 - 00:00
 0
Sivjet 33 vite nga tragjedia ajrore e Ohrit, dëshmitë që mbajnë gjallë kujtesën dhe pyetjet pa përgjigje

Ohër, 8 shkurt – Një nga ngjarjet më të rënda në historinë e aviacionit në Maqedoninë e Veriut mbetet rrëzimi i avionit të kompanisë “Avioimpex”, më 20 nëntor të vitit 1993, pranë aeroportit të Ohrit, ku humbën jetën 116 persona. Shumica e viktimave ishin udhëtarë shqiptarë, kryesisht nga Kosova, ndërsa tragjedia vazhdon të kujtohet si një plagë e hapur për shumë familje.

Avioni i tipit “JAK-42”, i nisur nga Gjeneva drejt Shkupit, për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe mjegullës së dendur u orientua drejt aeroportit të Ohrit, i cili në atë kohë përdorej kryesisht për ulje emergjente. Rreth orës 23:30, për shkaqe që edhe sot nuk janë sqaruar plotësisht, avioni devijoi nga trajektorja dhe u përplas në një kodër në afërsi të fshatrave Orovnik dhe Llakoçerje, rreth dy kilometra larg aeroportit.

Dëshmia e njërit prej të pranishmëve

Muamedin Istrefi nga fshati Veleshtë i Strugës ishte atë natë në aeroportin e Ohrit, duke pritur udhëtarët që do të mbërrinin nga Zvicra. Ai ishte angazhuar si shofer për transportin e pasagjerëve, shumica prej të cilëve pritej të vazhdonin udhëtimin drejt Kosovës.

Istrefi kujton se rreth orës 23:20 në aeroport u njoftuan se kishte paqartësi nëse avioni do të ulej në Shkup apo në Ohër. Pak më vonë, disa punonjës të kompanisë dolën në tarracë dhe vëzhgonin avionin që bënte rrotullime mbi liqen. Pas disa çastesh u dëgjua një shpërthim i fortë, i ndjekur nga një tjetër dhe nga një flakë e madhe që u pa nga larg.

Sipas tij, menjëherë pas shpërthimeve u tentua të gjendej vendi i rrëzimit dhe u dha informacioni se avioni kishte rënë në zonën mes Gorencës dhe Llakoçerjes. Megjithatë, për shkak të errësirës dhe terrenit, lokalizimi i saktë ishte i vështirë dhe ekipet u kthyen përkohësisht në aeroport, derisa më vonë u konfirmua vendndodhja.

Pasojat dhe solidariteti

Nga 116 personat në bord, në mesin e të cilëve katër pilotë rusë dhe anëtarë të ekuipazhit nga Maqedonia, vetëm një pasagjer thuhet se kishte mbijetuar fillimisht dhe ishte transportuar në spital, por më pas nuk pati informacione të mëtejshme për fatin e tij.

Istrefi kujton gjithashtu solidaritetin e madh të qytetarëve shqiptarë të Strugës dhe Ohrit, të cilët u bënë mbështetja kryesore për familjarët e viktimave që kishin ardhur nga Kosova për të kërkuar të afërmit e tyre.

Pyetje që vazhdojnë edhe sot

Edhe pse në opinion u përmendën versione të ndryshme, përfshirë mundësinë e gabimeve në komunikimin mes kontrollit të fluturimit dhe ekuipazhit, shumë familjarë dhe njohës të rastit theksojnë se rrethanat e plota të tragjedisë nuk janë zbardhur kurrë plotësisht.

Më shumë se tri dekada më vonë, 20 nëntori 1993 mbetet një datë e dhimbshme në kujtesën kolektive, një kujtesë për jetët e humbura dhe për nevojën që e vërteta për ngjarje të tilla të sqarohet deri në fund.