S’ka rritje rrogash, Qeveria e RMV-së vendosi për ngrirjen e pagave të të zgjedhurve dhe të emëruarve

Ngrirja e pagave të personave të emëruar dhe të zgjedhur, gjyqtarëve, anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, prokurorëve publikë dhe anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Ky është vendimi që është marrë sot në seancën e Qeverisë me të cilin konfirmohet se të zgjedhurve dhe të emëruarve nuk do t’u rriten pagat, transmeton Portalb.mk. Për vendimin e […]

dhjetor 10, 2024 - 18:00
 0  6
S’ka rritje rrogash, Qeveria e RMV-së vendosi për ngrirjen e pagave të të zgjedhurve dhe të emëruarve
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ngrirja e pagave të personave të emëruar dhe të zgjedhur, gjyqtarëve, anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, prokurorëve publikë dhe anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Ky është vendimi që është marrë sot në seancën e Qeverisë me të cilin konfirmohet se të zgjedhurve dhe të emëruarve nuk do t’u rriten pagat, transmeton Portalb.mk.

Për vendimin e qeverisë sot në postim në profilin e tij në Facebook ka njoftuar kryeministri Hristijan Mickoski.

“Të vetëdijshëm për kohën në të cilën jetojmë dhe për faktin se po luftojmë me pasojat e së kaluarës, në seancën e sotme Qeveria mori vendime që nuk do të rrisin pagat e të emëruarve dhe të zgjedhurve, gjyqtarëve, anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve publikë dhe ata me ndërhyrje në koeficientët e llogaritjes së pagave janë ngrirë”, shkruan Mickoski në postim.

Gjithashtu, kryeministri thotë se nuk do të ketë pagesë të pagës së 13-të në të gjitha organet e administratës shtetërore dhe fondet do të devijohen për projekte zhvillimore.

Mickoski, krahas kësaj, njoftoi se fillon pagesa e K-15 për të gjithë të punësuarit në tërë administratën.

Lidhur me vendimin e sotëm, zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva thotë se Ministria e Ekonomisë dhe e Punës dhe ajo e Drejtësisë, secila në juridiksionin e vet, janë përgjegjëse për paraqitjen e ndryshimeve dhe plotësimeve në ligje, në atë mënyrë që koeficientët e përcaktuar për llogaritjen e pagave do të reduktohet, për të mos shkaktuar dëme të mëtejshme.

“Zgjidhjet aktuale ligjore parashikojnë rritje të pagave të të zgjedhurve dhe të emëruarve, por Qeveria për të mbrojtur interesin publik dhe për të mos patur implikime fiskale shtesë në buxhet, ka marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve ku nuk do të rrezikohet apo përkeqësohet gjendja e personave të zgjedhur dhe të emëruar. Domethënë kemi premtuar se një gjë është e sigurt dhe po e realizojmë, nuk do të ketë rritje pagash për të zgjedhurit dhe të emëruarit. Me këtë ngrirje, ne e zvogëlojmë atë përqindje vit pas viti, të gjitha me synimin për të arritur një përqindje të barabartë me zero”, thotë Miteva.

Kujtojmë se raporti i revizionit për gjendjen në Postën e Maqedonisë, zbuloi një sërë parregullsish dhe rritje të paligjshme të pagave. Derisa punëtorët e SHA Posta e Maqedonisë ishin në grevë me muaj të tërë për paga të ulëta të papaguara dhe të parregullta, tashmë ish drejtoresha Bujare Abazi, zëvendësja e saj dhe drejtorët e drejtorive në mënyrë të kundërligjshme i ngritën pagat për rreth 50 përqind, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit. Auditorët konstatuan se rritja e pagave në shtator të vitit të kaluar ishte e paligjshme, pasi kompania ka vite që shënon humbje, më e madhja prej të cilave është 3.7 milionë euro.