Raporti i Avokatit të Popullit: Përfaqësimi i shqiptarëve në sektorin publik në RMV është 21.7 përqind
Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike në vitin 2022 ishte 21,4%, ndërsa këtë vit raportues është 21,7%, që paraqet një rritje prej 0,3%, por është më i ulët për 2,6 % krahasuar me popullsinë rezidente të vendit. Kjo mes tjerash thuhet në Raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2023, i cili ka të bëjë […]
Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike në vitin 2022 ishte 21,4%, ndërsa këtë vit raportues është 21,7%, që paraqet një rritje prej 0,3%, por është më i ulët për 2,6 % krahasuar me popullsinë rezidente të vendit. Kjo mes tjerash thuhet në Raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2023, i cili ka të bëjë me monitorimin e zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në sektorin publik, i cili pasqyron gjendjen e zbatimit të këtij parimi në organet, institucionet, entet, ndërmarrjet publike dhe vetëqeverisjen lokale, raporton Portalb.mk.
Sipas raportit, përfaqësimi i maqedonasve në vitin 2022 në sektorin publik ishte 71,9%, ndërsa për vitin 2023 është 71,6%, që paraqet një rënie prej 0,3% krahasuar me një vit më parë, por është më i lartë me 13,16 % krahasuar me popullsinë rezidente të vendit në krahasim me rezultatet e censusit të fundit të popullsisë të vitit 2022.
Komuniteti turk në vitin 2022 përfaqësohej me 2,1%, ndërsa në vitin 2023 përfaqësimi i tij është 2,2%, që është një rritje prej 0,1%, por është më i ulët për 0,14 % krahasuar me popullsinë rezidente të vendit.
Komuniteti etnik rom dhe serb kanë të njëjtën shkallë përfaqësimi në vitin 2022 dhe 2023, me ç’rast përfaqësimi i komunitetit etnik Rom është me 1,3% dhe është më i ulët për 1,23% krahasuar me popullsinë rezidente në vend, ndërsa komuniteti etnik serb është me 1,4%, por është më i lartë për 0,1 % krahasuar me popullsinë rezidente në vend, i njëjtë është rasti edhe me komunitetin Vlleh, i cili gjatë këtyre 2 viteve përfaqësohet me 0,6%, dhe është më i lartë për 0,13 % krahasuar me popullsinë rezidente në vend.
Një rritje e vogël prej 0,1% ka në komunitetin boshnjak, i cili tani përfaqësohet me 0,6%, ndërsa në vitin 2022 përfaqësohej me 0,5%, por është më i ulët për 0,27% krahasuar me popullsinë rezidente të vendit.
Personat që u përkasin bashkësive tjera që nuk janë të shënuara në parathënien e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vitin 2023 përfaqësohen me 0,7%, që është përqindje e njëjtë me vitin paraprak 2022.
Avokati i Popullit Naser Ziberi theksoi se analiza e bërë e të dhënave të mbledhura tregon se i vogël është numri i institucioneve, enteve, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe subjekteve të formuara nga ana e tyre, të cilat kanë efekt solid në realizimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, për dallim nga ato të cilat nuk i përmbushin normat e përcaktuara me ligj dhe të cilat devijojnë në të gjitha fushat.
“Karakteristikë e këtyre institucioneve është se kanë të punësuar njerëz vetëm nga shumica dhe eventualisht nga etnia e dytë më e madhe, dhe nuk kanë ose kanë një përqindje shumë të vogël të të punësuarve me prejardhje rome, turke apo boshnjake. Kur këto të dhëna vihen në korrelacion me rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë, arrijmë te përfundimi se edhe pas më shumë se dy dekadave nga futja e këtij parimi si vlerë themelore e rendit kushtetues, vendi ynë ende nuk ka arritur rezultate adekuate që të plotësojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat edhe atë te pjesa më e madhe e bashkësive joshumicë siç është bashkësia shqiptare, turke, rome dhe boshnjake”, tha Ziberi.
Ashtu si vitin e kaluar edhe për vitin 2023, Avokati i Popullit kritikon për numrin e pamjaftueshëm të përfaqësimit të personave nga bashkësitë jo shumicë në vende udhëheqëse të punës: shqiptarë (18%), turq (1,6%), e veçanërisht bashkësia etnike rome, respektivisht, nga numri i përgjithshëm i personave në vende udhëheqëse të punës në sektorin publik, vetëm 0,3% janë romë, të emëruar në poste drejtuese.
“Te bashkësitë tjera etnike, maqedonase, vllehe dhe serbe, përqindja e përfaqësimit në vende të punës udhëheqëse është më e lartë në krahasim me përqindjen e popullatës rezidente si dhe në krahasim me numrin e të punësuarve nga të njëjtat komunitete në sektorin publik, gjë që vërteton zbatimin joadekuat të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ndaj bashkësive tjera”, tha Ziberi.
Avokati i popullit ju rekomandon të gjitha institucioneve dhe enteve të sektorit publik të respektojnë dhe zbatojnë në mënyrë adekuate parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat si postulat kushtetues që pasqyrohet në disa ligje sistematike, pavarësisht se mekanizmi “Balancer”, me të cilin realizoheshin punësimet në sektorin publik, është anuluar dhe si i tillë është i pazbatueshëm deri në miratimin e ndonjë zgjidhjeje tjetër ligjore.
“Prandaj apeli im drejtuar autoriteteve ekzekutive dhe legjislative është të përshpejtojnë procedurën dhe aktivitetet për rregullimin ligjor të kësaj çështjeje, me të cilën do të sigurohet një instrument adekuat që do të sigurojë dhe garantojë këtë të drejtë duke ruajtur parimet e profesionalizmit dhe kompetencës, respektivisht duke ruajtur sistemin e meritës, gjë që e parashikonte edhe rregullativa e mëparshme, por jo rrallëherë drejtuesit e institucioneve e zbatonin jo mjaftueshëm”, tha Ziberi.
Ndryshe, nga analiza e bërë e këtij Raporti të veçantë, janë nxjerrë të dhënat se numri i të punësuarve në nivel të përgjithshëm në sektorin publik është ulur për 2,488 persona për dallim nga viti 2022, kur numri i përgjithshëm i të punësuarve ishte 130,377 persona, ndërsa në vitin 2023 ky numër është 127,889 persona
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.