Siljanovska: Futja e Grubit dhe Bexhetit në Listën e zezë, mesazh për hetime të mëtejshme
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka komentuar mbi futjen e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në listën e zezë amerikane, duke theksuar se ky është një mesazh i qartë për autoritetet vendore për të nisur hetime ndaj tyre. Ajo shtoi se nëse organet e rendit nuk veprojnë, kjo do të dërgonte një sinjal se paligjshmëria do të […]
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka komentuar mbi futjen e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në listën e zezë amerikane, duke theksuar se ky është një mesazh i qartë për autoritetet vendore për të nisur hetime ndaj tyre. Ajo shtoi se nëse organet e rendit nuk veprojnë, kjo do të dërgonte një sinjal se paligjshmëria do të tolerohet në vend, transmeton Portalb.mk.
“Është mesazh që duhet të kujdesemi për diçka që ne në drejtësi e quajmë informacion, por ky është informacion i fortë i bazuar në fakte dhe prova. Nuk duhet të qëndrojmë të qetë si më parë dhe t’i lëmë disa që janë futur në listën e zezë të vazhdojnë aktivitetin e tyre të rregullt. Nëse prokurorët publikë duhet të veprojnë sipas informacionit të marrë, ata duhet të veprojnë edhe për këtë rast. Ka mënyra në të drejtën ndërkombëtare, ka edhe marrëdhëniet e ndërsjella se si të merren ato prova dhe si të fillohet procedurë këtu, sepse ndryshe nuk reagojmë kur duhet të reagojmë dhe në fakt në atë mënyrë e tolerojmë paligjshmërinë”, tha Siljanovska Davkova.
Ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler ka informuar se e kanë zgjeruar Listën e Zezë, ndërsa po ndërmarrin veprime për të promovuar përgjegjësinë për autorët e korrupsionit dhe abuzimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.
Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut.
Këtë vit në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.
Kujtojmë që propozim Ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.