Skandali me ryshfetin, LSDM kërkon hetim ndaj Janushevit dhe rrjetit rreth Qeverisë

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kërkon zgjerimin e hetimit për rastin e ryshfetit, në të cilin, sipas partisë, është përfshirë shoferi i sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev. Në një konferencë për media, zëdhë...

shtator 7, 2026 - 16:30
Skandali me ryshfetin, LSDM kërkon hetim ndaj Janushevit dhe rrjetit rreth Qeverisë

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) kërkon zgjerimin e hetimit për rastin e ryshfetit, në të cilin, sipas partisë, është përfshirë shoferi i sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev.

Në një konferencë për media, zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, tha se shoferi dyshohet se është kapur me para të shënuara pasi kishte kërkuar ryshfet në këmbim të sigurimit të një vendi pune si zjarrfikës në Brigadën Kundërzjarr të Qytetit të Shkupit.

Kuzeska ngriti dyshime se rasti mund të mos përfundojë vetëm te personi që dyshohet se ka marrë ryshfetin dhe kërkoi që hetimi të shqyrtojë edhe përgjegjësinë eventuale të personave në pozita më të larta.

“Ky skandal hap një pyetje kyçe: cili ka qenë roli i Janushevit në këtë rast me ryshfet? A është shoferi vetëm dora e tij e zgjatur dhe ndërmjetës?”, deklaroi Kuzeska.

Sipas saj, shoferi nuk ka kompetenca për të siguruar punësime në Brigadën Kundërzjarr, ndërsa LSDM kërkon që institucionet të sqarojnë nëse ka pasur ndërmjetësim apo ndikim nga persona me funksione publike.

Kuzeska gjatë konferencës përmendi edhe raste dhe pretendime të tjera që, sipas saj, lidhen me kabinetin e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë. Ajo foli për një këshilltar të kabinetit që, sipas LSDM-së, është përmendur në një rast të dyshuar për fajde dhe pastrim parash, si dhe ngriti pretendime për lidhje biznesi në Bullgari.

Zëdhënësja e LSDM-së përmendi gjithashtu pasurinë e deklaruar si dhuratë në qendër të Shkupit dhe kontratat e kompanisë “Maraton Grup”, duke kërkuar që edhe këto çështje të shqyrtohen nga institucionet kompetente.

Nga LSDM-ja pretendojnë se bëhet fjalë për një seri rastesh që kërkojnë hetim të plotë dhe transparent.

“LSDM kërkon hetim të plotë – jo vetëm për shoferin, por edhe për rolin e shefit të tij, Janushev. Hetimi duhet të zgjerohet edhe për kompaninë në Bullgari, për pasurinë e dhuruar dhe për gjithë rrjetin rreth Qeverisë së Mickoskit”, tha Kuzeska.

Ajo kërkoi që institucionet kompetente të verifikojnë të gjitha pretendimet e ngritura gjatë konferencës dhe të përcaktojnë nëse ka bazë për përgjegjësi penale apo politike.

“Qytetarët meritojnë përgjigje. Duhet të ketë përgjegjësi”, përfundoi zëdhënësja e LSDM-së. Gazeta Flaka

The post Skandali me ryshfetin, LSDM kërkon hetim ndaj Janushevit dhe rrjetit rreth Qeverisë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.