Sofja dënon ashpër rrahjen e aktivistit dhe gazetarit bullgar 80-vjeçar në qendër të Shkupit
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë e dënoi ashpër sulmin fizik ndaj 80-vjeçarit, gazetarit dhe aktivistit Vlado Perev, një nga përfaqësuesit më të shquar të komunitetit bullgar në Maqedoni, i cili sot në qendër të Shkupit u rrah nga një person i panjohur. Sipas Perev, sulmuesi – dy herë më i ri se ai […]
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë e dënoi ashpër sulmin fizik ndaj 80-vjeçarit, gazetarit dhe aktivistit Vlado Perev, një nga përfaqësuesit më të shquar të komunitetit bullgar në Maqedoni, i cili sot në qendër të Shkupit u rrah nga një person i panjohur.
Sipas Perev, sulmuesi – dy herë më i ri se ai – e ka goditur në fytyrë, ia ka thyer syzet dhe ka bërtitur: “Bullgarët le të shkojnë në Bullgari!”, duke i bërë edhe kërcënime me varje, pikërisht për shkak se është bullgar.
Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Georg Georgiev, menjëherë ka realizuar një kontakt telefonik me Perevin e lënduar dhe i ka premtuar mbështetje të plotë. Në komunikatën zyrtare të MPJ-së në Sofje thuhet:
“E dënojmë kategorikisht edhe një akt tjetër të dhunës nga urrejtja ndaj një bullgari në Republikën e Maqedonisë së Veriut – një fenomen, për fat të keq, i nxitur nga atmosfera aktuale socio-politike dhe retorika antibullgare. Presim që organet kompetente në Republikën e Maqedonisë së Veriut të ndërmarrin masa të shpejta dhe efikase për hetim dhe drejtësi. Rikujtojmë se rruga evropiane e vendit kërkon zbatim të plotë dhe me ndërgjegje të kompromisit evropian të vitit 2022, duke përfshirë respektimin e vlerave të përbashkëta dhe garantimin e të drejtave të bullgarëve maqedonas.”
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë konfirmoi se rasti është denoncuar dhe se po ndërmerren të gjitha masat për identifikimin dhe arrestimin e autorit.(INA)