Shkupi është ndotësi më i madh i Vardarit

Shkupi është ndotësi më i madh i Vardarit dhe për këtë arsye përfundimi i ndërtimit të kolektorit dhe stacionit të trajtimit të ujërave të zeza, një aktivitet i kofinancuar nga BE-ja, do të kontribuojë ndjeshëm që lumi të jetë më i pastër. Presim angazhim urgjent nga autoritetet kombëtare për ta vënë në funksion këtë sistem, […]

Nëntor 25, 2025 - 11:00
 0
Shkupi është ndotësi më i madh i Vardarit

Shkupi është ndotësi më i madh i Vardarit dhe për këtë arsye përfundimi i ndërtimit të kolektorit dhe stacionit të trajtimit të ujërave të zeza, një aktivitet i kofinancuar nga BE-ja, do të kontribuojë ndjeshëm që lumi të jetë më i pastër. Presim angazhim urgjent nga autoritetet kombëtare për ta vënë në funksion këtë sistem, i cili do ta zvogëlojë ndotjen e ujit. Kjo u theksua sot nga Steffen Hudolin, udhëheqës i sektorit për bashkëpunim pranë delegacionit të BE-së, në eventin e sotëm “Ditët e Vardarit 2025”. Ky event, në kuadër të të cilit kishte diskutime, punëtori dhe trajnime, u përqendrua në mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pellgut të lumit Vardar, i cili përfshin rreth 80 përqind të të gjitha trupave ujorë dhe për këtë arsye është burimi më i rëndësishëm i ujit në vend, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Aktiviteti është pjesë e Programit për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave, i cili mbështetet nga Qeveria zvicerane, ndërsa implementohet në partneritet dhe me pjesëmarrjen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Nga delegacioni i Bashkimit Evropian porositën se zhvillimi i Planit të menaxhimit të pellgut të lumit Vardar do të jetë hapi më i rëndësishëm për zbatimin e Direktivës Kornizë për ujërat. Si pjesë e procesit përgatitor për përpilimin e Planit të menaxhimit të pellgut të lumit Vardar, Programi për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave dhe Bashkimi Evropian dhuruan pajisje të reja moderne për laboratorin e Drejtorisë të Punëve Hidrometeorologjike. Përveç kësaj, përmes Programit të Ujit u siguruan dy automjete të reja, me qëllim lehtësimin e punës në terren gjatë marrjes së mostrave të ujit.

“Për herë të parë po krijojmë një model ku politika, ekspertiza dhe institucionet janë të rreshtuara rreth një qëllimi, një sistemi stabil dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e ujit. Vullneti ynë politik është i qartë: ta ngremë sektorin në një nivel që i përmbush standardet evropiane dhe pritshmëritë e qytetarëve. Deri në vitin 2027, kur përfundon faza e parë e programit, do t’i kemi hedhur themelet për rezultate të ardhshme strukturore dhe një sistem që gjeneron ndryshime të matshme”, tha Ane Llashkoska, zëvendës-ministre e mjedisit jetësor dhe e planifikimit hapësinor.

Albrim Hoxha, zëvendës-ministër i bujqësisë, pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave, tha se programi është i një rëndësie të veçantë sepse duhet të krijojë një sistem informacioni për ujin dhe një plan menaxhimi për pellgun e lumit Vardar deri në vitin 2027.

“Politikat e bazuara në të dhëna do të na ndihmojnë ta planifikojmë më mirë zhvillimin e bujqësisë, pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave. Me sisteme të forta të menaxhimit të ujit për ujitje në bujqësi, mbrojtje të rendimenteve nga të gjitha ndryshimet klimatike dhe menaxhim të qëndrueshëm të kapaciteteve bujqësore dhe pyjore, investojmë në potencialin e mjedisit rural”, tha Hoxha.

Programi për ujërat përqendrohet në tre qëllime kryesore – përforcimin e kapaciteteve të institucioneve kompetente për menaxhimin e integruar dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore, zhvillimin e një kuadri adekuat ligjor dhe rregullator për ujërat dhe planifikim dhe menaxhim më të mirë të pellgut të lumit Vardar.

Ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Christoph Sommer, theksoi se ky program është një vazhdim i njëzet viteve të mbështetjes zvicerane në përmirësimin e qasjes në ujë të pijshëm, ndërtimin e stacioneve të trajtimit të ujërave të zeza dhe për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

“Përmes partneritetit me institucione, ekspertë dhe komunitete, ne po punojmë për ta njohur dhe për ta mbrojtur këtë burim kyç për familjet, bujqësinë dhe industrinë në pellgun e Vardarit. Duke pasur parasysh se ky pellg përfshin rreth 80 përqind të trupave ujorë të vendit, planifikimi i integruar i menaxhimit të pellgut të lumit, reforma rregullatore dhe projektet pilot me fermerët dhe komunat do ta përkthejnë politikën në praktikë dhe do ta hapin rrugën për zbatimin e Planit të menaxhimit të pellgut të lumit në vend”, tha Sommer.

Në kuadër të “Ditëve të Vardarit 2025” javën e kaluar u mbajt një punëtori dy ditore, në të cilën morën pjesë ekspertë nga vendi dhe të huaj, përfaqësues të institucioneve kryesore kompetente dhe organizatave të shoqërisë civile. Nesër, në ditën e fundit të ngjarjes, në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Shkup do të prezantohet Raporti Fillestar mbi çështjet e rëndësishme në menaxhimin e ujërave në pellgun e Vardarit dhe do të mbahet Panairi i Karrierës.

Institucionet në Maqedoninë e Veriut kanë dështuar tu sigurojnë qytetarëve mjedis të shëndetshëm dhe ajër të pastër, kështu duke i vendosur ata përballë rreziqeve në shëndetin e tyre. Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, edhe këtë vit i radhiti dështimet e vendit në fushën e mjedisit dhe klimës. Derisa organizatat e shoqërisë civile theksojnë mungesën e vullnetit institucional, Ministria e Mjedisit arsyetohet se po punon në këtë drejtim për t’i mbushur zbrazëtirat, shkruan Portalb.mk.