Sonte vazhduan aksionet policore për arrestimin e të dyshuarve të përfshirë në rastin “Puls”

Policia e Maqedonisë së Veriut po zhvillon aksione policore për arrestimin e të dyshuarve në lidhje me rastin tragjik në diskotekën “Puls”, transmeton Portalb.mk. “Në rrjedhë janë aksione të ekipeve policore me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Koçani, në lidhje me procedurat për zjarrin në diskotekën Puls”, sqaroi Prokuroria. Prokuroria sqaroi që aksioni policor […]

Mars 20, 2025 - 21:00
 0  7
Sonte vazhduan aksionet policore për arrestimin e të dyshuarve të përfshirë në rastin “Puls”
Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: MPB

Policia e Maqedonisë së Veriut po zhvillon aksione policore për arrestimin e të dyshuarve në lidhje me rastin tragjik në diskotekën “Puls”, transmeton Portalb.mk.

“Në rrjedhë janë aksione të ekipeve policore me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Koçani, në lidhje me procedurat për zjarrin në diskotekën Puls”, sqaroi Prokuroria.

Prokuroria sqaroi që aksioni policor për arrestimin e peronave të dyshimtë për përfshirje në punën e lokalit “Puls” do të vazhdojë gjatë natës, ndërsa për nesër pritet të ketë detaje në lidhje me aksionin policor.

Familjarë, miq e bashkëqytetarë dhe më gjerë, sot (20 mars) iu dhanë lamtumirën e fundit të vdekurve nga zjarri në Koçan. Varrime të viktimave që humbën jetën nga zjarri në diskotekën “Puls” pati në Koçan, Shtip, Probishtip, Shkup dhe Obleshevë. Numri më i madh i viktimave, tridhjetë, u varrosën në Koçan. Kortezhi atje u përcoll në varrezat e qytetit me dhimbje e plot zymtësi. Kortezhi drejtohej nga të rinj që mbanin fotot e disa prej atyre që humbën jetën nga zjarri. Në mesin e 59 viktimave që përcillen sot, 6 janë të mitur.

Në konferencën 19 marsit, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se deri më tani në hetim janë përfshirë 26 persona, por ky numër nuk do të jetë përfundimtar.

Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.