Studentët shqiptarë thirrje diplomacisë ndërkombëtare për vëzhgimin e protestës së 6 prillit
Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore u kanë drejtuar një thirrje përfaqësive diplomatike në Maqedoninë e Veriut që të vëzhgojnë protestën The post Studentët shqiptarë thirrje diplomacisë ndërkombëtare për vëzhgimin e protestës së 6 prillit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore u kanë drejtuar një thirrje përfaqësive diplomatike në Maqedoninë e Veriut që të vëzhgojnë protestën e paralajmëruar më 6 prill në Shkup, transmeton Gazeta Flaka
Në dokumentin e publikuar më 3 prill 2026, studentët shprehin mirënjohje për mbështetjen ndërkombëtare ndaj zhvillimit demokratik të vendit, duke theksuar rëndësinë e rolit të diplomacisë në garantimin e të drejtave.
“Ju shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme që i jepni vendit tonë në zhvillimin e demokracisë, mbrojtjen e vlerave qytetare dhe promovimin e shtetit të së drejtës.”
Studentët njoftojnë se protesta do të mbahet më 6 prill, në ora 12:30 në Shkup, me nisje nga Ura e Gurit, duke kërkuar realizimin e një të drejte që, sipas tyre, është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
“Kemi thirrur protestë për të kërkuar realizimin e një të drejte të garantuar me Kushtetutë dhe ligj për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.”
Sipas tyre, edhe pse kjo e drejtë është e sanksionuar në kuadrin ligjor, ajo vazhdon të mos zbatohet në praktikë, duke krijuar pabarazi për studentët shqiptarë.
“Kjo e drejtë, ndonëse e sanksionuar në kuadrin ligjor, vazhdon të mos zbatohet në praktikë, duke krijuar një pabarazi të vazhdueshme për studentët e drejtësisë që studimet e tyre i kryejnë në gjuhën shqipe.”
Në thirrjen drejtuar diplomacisë, studentët kërkojnë monitorim të procesit dhe zhvillimeve që lidhen me këtë çështje, duke theksuar rëndësinë e standardeve demokratike.
“Ju ftojmë që, në kuadër të mandatit tuaj, të monitoroni këtë proces dhe zhvillimet që lidhen me këtë çështje.”
Në të njëjtën kohë, ata nënvizojnë se protesta do të jetë paqësore dhe në përputhje me vlerat demokratike.
“Ne mbetemi të përkushtuar që protesta të jetë paqësore, dinjitoze dhe në përputhje me vlerat demokratike që ndajmë së bashku.”
Kjo thirrje vjen në prag të protestës së studentëve, e cila po mbështetet gjithnjë e më shumë edhe nga profesorë dhe aktorë të tjerë shoqërorë, në kërkim të barazisë gjuhësore në arsimin e lartë. Gazeta Flaka

The post Studentët shqiptarë thirrje diplomacisë ndërkombëtare për vëzhgimin e protestës së 6 prillit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .