Takimi i Ramës me të rinjtë socialistë, reagon Berisha: PD ofron mundësinë që çdo i ri të ndërtojë të ardhmen e tij këtu

Pas takimit të sotëm të kryeministrit Edi Rama me të rinjtë socialist në Forumin Rinor Kombëtar, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se vetëm PD-ja është alternativa që ofron me të vërtetë mundësi të mëdha për çdo të ri që të ndërtojë të ardhmen e […]

shkurt 1, 2025 - 20:00
 0  4
Takimi i Ramës me të rinjtë socialistë, reagon Berisha: PD ofron mundësinë që çdo i ri të ndërtojë të ardhmen e tij këtu

Pas takimit të sotëm të kryeministrit Edi Rama me të rinjtë socialist në Forumin Rinor Kombëtar, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se vetëm PD-ja është alternativa që ofron me të vërtetë mundësi të mëdha për çdo të ri që të ndërtojë të ardhmen e tij në Shqipëri.

Postimi i plotë i Berishës:

Sot, Edi Rama në një llogore banale foli para të rinjve socialistë sikur të ishte i ati i tij biologjik, ose i ati i tij shpirtëror. Ai përdori të gjitha termat e marrë nga Parku Zoologjik dhe bota e tij shpirtërore për të anatemuar opozitën, në mënyrë që, të mund të fshehë sadopak, apo të maskojë damkosjen e tmerrshme që ka marrë si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, Shqipërisë.

Sot, para të rinjve, Edi Rama, nuk foli asgjë për punësimin e tyre, injoroi faktin se ky është sundimtari i vetëm që ka kryer një gjenocid ndaj të rinjve shqiptarë, duke larguar në 10 vite rreth 600 mijë prej tyre nga Shqipëria.

Para këtyre që kanë mbetur nuk tha një fjalë për punësimin e tyre, për ëndrrat e tyre. Në kohën e zhvillimeve të mëdha teknologjike, resë kompjuterike, të dhënave big data, internetit 3, dhe inteligjenca artificiale, ai nuk shqipëroi një fjalë për Shqipërinë e nesërme, por u mor fund e krye me opozitën që e ka damkosur dhe e ka zhveshur atë, i ka faktuar shqiptarëve se Edi Rama ka hyrë në histori si kryehajduti i kombit.

Gjeti kohë të merrej edhe me kundërshtarët e tij brenda partisë, të cilët kanë dhënë dhe japin një kontribut të veçantë për çdo shqiptar për të kuptuar, për të demaskuar aktivitetin e tij si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit.

Të dashur miq, me këtë fjalë Edi Rama i faktoi dhe të riut më të fundit në këtë vend se ai, përveç sharjeve, përveç fjalorit ordiner, përveç mbrojtjeve të krimeve të tij, të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë nuk iu ofron asgjë tjetër, pos largimit të tyre nga Shqipëria.

Partia Demokratike qëndron e vendosur të bëjë gjithçka sot në kohën e teknologjive të mëdha, që ço i ri dhe e re të ndërtojë në Shqipëri ëndrrën e tij,të shkollohet në mënyrë cilësore, të punësohet me përparësi, të drejtojë, të udhëheqë transformimin digjital të Shqipërisë. Shqipëria e resë kompjuterike, Shqipëria e big data-ve, Shqipëria e internetit 3, dhe Shqipëria e inteligjencës artificiale, do të jetë Shqipëria e të rinjve shqiptarë.

Ndaj dhe, ftoj çdo të ri të ndjekë jo alternativën e një sharësi profesionist, që mbrohet me sharje, por alternativën e Partisë Demokratike që ofron me të vërtetë mundësi të mëdha për çdo të ri që të ndërtojë të ardhmen e tij në vendin e tij të bukur.