Tenderi i “nxituar” i Hajrullah Çekut: 56 milionë euro për katër stadiume, më i madhi i qeverisë Kurti II në fund të mandatit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën udhëheqjen e Hajrullah Çekut, ka vendosur të hap një nga tenderët më të mëdhenj të mandatit të qeverisë Kurti II, vetëm pak muaj para përfundimit të tij. Me një vlerë marramendëse prej 56 milionë eurosh, tenderi përfshin ndërtimin dhe rindërtimin e katër stadiumeve në Ferizaj, Pejë, Prizren dhe
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën udhëheqjen e Hajrullah Çekut, ka vendosur të hap një nga tenderët më të mëdhenj të mandatit të qeverisë Kurti II, vetëm pak muaj para përfundimit të tij. Me një vlerë marramendëse prej 56 milionë eurosh, tenderi përfshin ndërtimin dhe rindërtimin e katër stadiumeve në Ferizaj, Pejë, Prizren dhe Vushtrri.
Në fundin e mandatit të qeverisë Kurti II, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur një tender për ndërtimin dhe rindërtimin e katër stadiumeve në Kosovë. Sipas dosjes së tenderit, ky projekt madhor, që përfshin katër lot-e të ndara, pritet të kushtojë gjithsej 56 milionë euro dhe ka si qëllim përmbushjen e standardeve të UEFA-s për infrastrukturën e futbollit.
Tenderi është ndarë në katër kontrata specifike: Stadiumi i Ferizajt: Ndërtim i ri sipas standardeve të UEFA-s Kategoria III Plus, me një vlerë të parashikuar prej 19 milionë euro. Stadiumi i Pejës: Ndërtim i ri sipas standardeve të ngjashme, gjithashtu me një vlerë prej 19 milionë euro. Stadiumi i Prizrenit: Zgjerim, konsolidim dhe rikonfigurim funksional, vlerësuar në 13 milionë euro. Stadiumi i Vushtrrisë: Rinovim dhe zgjerim, me një kosto prej 5 milionë euro, shkruan Demokracia.com.
Ofertat për këtë tender pritet të hapen më 31 dhjetor 2024, vetëm pak orë para përfundimit të vitit, çka e bën kohën e zgjedhur për hapjen e ofertave të dyshimtë.
Tradicionalisht, ndërtimi apo rinovimi i stadiumeve në Kosovë është trajtuar në mënyrë të veçantë për secilin projekt. P.sh. ka muaj që disa stadiume janë në tender.
Megjithatë, ministri Çeku ka vendosur t’i bashkojë katër stadiumet në një procedurë të vetme tenderuese. Kjo qasje ngre shqetësime nëse një tender i tillë kompleks mund të menaxhohet si duhet në fund të mandatit.
Për më tepër, dosja e tenderit përmban një numër të madh kriteresh të detajuara që operatorët ekonomikë duhet të plotësojnë, çka mund të kufizojë konkurrencën dhe të favorizojë kompani të caktuara.
Ministria ka theksuar se ky projekt është pjesë e një plani pesëvjeçar për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit, i mbështetur nga FIFA dhe UEFA. Përveç përmirësimit të infrastrukturës, plani synon të fuqizojë kapacitetet profesionale dhe të promovojë talentet e rinj të futbollit.
Megjithatë, koha dhe mënyra e ekzekutimit të këtij tenderi e bëjnë të vështirë vlerësimin nëse këto synime janë të sinqerta apo nëse bëhet fjalë për një përpjekje të minutës së fundit për të realizuar një projekt të madh, ndoshta për arsye politike.