Tragjedia në Koçan, Inspektorati Shtetëror i Tregut në pozitë “jashtë loje”

Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) në Maqedoninë e Veriut mbeti i panjohur për efikasitetin e tij në forcimin e ligjit në vend, apo si institucion që po krijon rregullin, stabilitetin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ky institucion erdhi në shprehje pas një tragjedie e cila pasoi me 59 vdekur dhe 196 të lënduar, […]

Mars 22, 2025 - 16:00
 0  6
Tragjedia në Koçan, Inspektorati Shtetëror i Tregut në pozitë “jashtë loje”
Zjarri në diskotekën "Pulse" në Koçan. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) në Maqedoninë e Veriut mbeti i panjohur për efikasitetin e tij në forcimin e ligjit në vend, apo si institucion që po krijon rregullin, stabilitetin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ky institucion erdhi në shprehje pas një tragjedie e cila pasoi me 59 vdekur dhe 196 të lënduar, shkruan Portalb.mk. 

ISHT kryen mbikëqyrje inspektuese për zbatimin e ligjeve, rregulloreve dhe akteve nga ndërmarrjet tregtare, personave juridik dhe fizik si dhe qytetarëve që kryejnë veprimtari në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët më së shumti kanë të bëjnë për sigurinë e produkteve, mbrojtjen e konsumatorëve, veprimtari në fushën e tregtisë, hotelerisë, turizmit, veprave artizanale, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale si dhe për çështje të tjera të përcaktuara me ligj. Janë këto kompetencat e Inspektoratit shtetëror të tregut në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të kontrolluar aktivitetet tregtare nëse janë në vijë me ligjet, sipas të cilave do duhej të veprojë çdo veprimtari legale.

“Inspektorati Shtetëror i Tregut në periudhën e gjashtë mujorshit të dytë të vitit 2024 i ka kryer aktivitetet e veta në përputhje me Planin Vjetor të Punës së Inspektoratit, gjegjësisht planet mujore të punës së secilit inspektor, konkluzionet dhe vendimet e miratuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe raportet dhe përfaqësimet nga persona juridikë dhe fizikë”, thuhet në Raportin e siguruar nga Portalb.mk, për punën e ISHT-së gjatë vitit 2024.  

“Inspektorati Shtetëror i Tregut në periudhën nga korriku deri në dhjetor 2024 ka kryer pjesën më të madhe të mbikëqyrjes në përputhje me Ligjin për Tregtinë, me qëllim të kontrollit të produkteve individuale në tregtinë me shumicë dhe pakicë, përcaktimin e marzhit më të lartë tregtar për çmimet e shitjes së produkteve ushqimore bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë, kontrollin e mazutit, naftën dhe derivatet e naftës, Ligjin për Disiplinë Financiare, Ligji për Zejtarinë dhe Artizanatet, Ligji për Veprimtarinë Hotelierike, Ligjin për Mbrojtjen nga Duhani, Ligjin për Ndalimin dhe Parandalimin e Kryerjes së Veprimtarive të paregjistruara, Ligjin për Pronësinë Industriale, si dhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme në lidhje me ankesat e parashtruara për baza të ndryshme”, thuhet më tutje në raport.  

gjysmën e dytë të vitit 2024, ISHT ka kryer gjithsej 14988 inspektime, nga të cilat, 1034 kontrolle të rregullta, 11269 inspektime të jashtëzakonshme, 2685 mbikëqyrje inspektuese kontrolluese. 

“Në periudhën korrik- dhjetor, 2024, janë marrë vendime për ndalimin e përkohshëm të kryerjes së aktiviteteve në gjithsej 25 objekte, në përputhje me: Ligjin për Veprimtari Hotelierike – 14 operatorë ekonomikë, Ligjin për Tregtinë – 3 operatorë ekonomikë dhe Ligjin për Ndalimin dhe Parandalimin e Kryerjes së Veprimtarive të Paregjistruara – 8 operatorë ekonomikë”, precizohet në Raport.  

Megjithatë, tragjedia e ndodhur në Koçan ngre pyetjen ku ishte ISHT në rajonin e Koçanit?  

Gjatë periudhës korrik – dhjetor, 2024, në Koçan nga ana e ISHT-së janë kryer 8 kontrolle të rregullta, 161 të jashtëzakonshme dhe 16 mbikëqyrje kontrolluese, gjithsej 185. Nga 185 mbikëqyrje inspektuese inspektorati ka shënuar 25 parregullsi.  

Ndryshe, prokuroria kanë konstatuar se objekti nuk kishte as rrjet hidranti e as hidrant. Ai kishte vetëm dy aparate zjarri. Nuk kishte dy dyer dalje për evakuim sipas standardeve të kërkuara dhe pamjeve katrore. Kryeprokurori Lupço Kocevski ka njoftuar se kishte vetëm një derë metalike të improvizuar dhe ishte e kyçur nga jashtë. 

“Brendësia e objektit ishte prej gipsi pa materiale rezistente ndaj zjarrit, nuk kishte tavan të varur me materiale zjarrfikëse, as sistem njoftimi për zjarrin, dhoma ishte e veshur me materiale të ndezshme. Mjetet piroteknike janë përdorur pa leje dhe pa një kompani të përshtatshme. Sipas fletë pronësisë së objektit konstatohej se ajo ishte e regjistruar për industrinë e lehtë dhe se nuk ishte shndërruar në biznes hotelierik. Përkundër kësaj, Ministria e Ekonomisë u ka dhënë leje për 15 vjet”, tha prokurori Lupço Kocevski. 

Me gjithë këto parregullsi, që do duhej të verifikoheshin paraprakisht nga ISHT, por edhe institucione tjera që kemi shënuar në shkrimet tona paraprake, klubi i natës “Puls” do duhej të ishte nën dry dhe jo temë për një ndodhi me pasoja fatale.  

BIRN ka dalë me pasqyrimin e disa vendimeve gjyqësore, duke verifikuar mozaikun e korrupsionit institucional.

“Menaxherë të kabareave dhe inspektorë kanë kaluar vetëm me dënime me burgim të kushtëzuar dhe gjoba të vogla, edhe pse janë akuzuar për falsifikim ose mungesë të licencave të nevojshme ose, si zyrtarë, për mosmarrjen e masave për ndëshkimin e lokaleve të natës dhe pronarëve të papërgjegjshëm. Inspektorët “kanë shikuar mes gishtash”. Rastet në qytetet fqinje Shtip dhe Koçan janë ilustruese sepse kapin dy ekstreme në sjelljen e nëpunësve civilë. Në rastin e Koçanit, inspektorët “kanë mbyllur sytë”, edhe pse klubi nuk ka pasur licencë, ndërsa inspektorët e Shtipit kanë vepruar sipas ligjit pasi kanë konstatuar se kabareja edhe pse kishte licencë nuk i plotëson kushtet. Klubi i natës i Koçanit është përmendur dy herë në aktgjykimet e shpallura publikisht. Në të dyja rastet, bëhet fjalë për inspektorë tregu të dënuar, të cilën nuk kanë dënuar edhe pse gjatë kontrollit kanë vërtetuat se objekti hotelerik nuk ka licencë.  Bëhet fjalë për klubin “Tropikana”, i cili u përmend në rastin “Detonator”, në të cilin në prill të vitit 2012 u arrestuan disa persona në disa qytete të Maqedonisë lindore, dhe si pasojë u shkarkuan edhe zyrtarëve policorë, u sekuestruan makina të pokerit dhe u burgosën 15 persona”, shkruan analiza.

Korrupsioni është kryefjala e gjithë ndodhisë. Mos penalizimi i korrupsionit ka krijuar hapësirë për tragjedi të mëdha si pasojë e neglizhencës së institucioneve kompetente për ta sanksionuar korrupsionin, me qëllim çrrënjosjen e saj një herë e përgjithmonë.  

“Në vendin tonë ka 1370 institucione nga të cilët 541 janë në nivel qendrorë dhe 829 institucione janë në nivel lokal, të punësuar në këto institucione janë diku 129.000 persona në nivele të ndryshme. Ky shtet mundet të bëhet nëse së paku në një institucion ndiqet vetëm një njeri për ryshfet dhe korrupsion që do të thotë prokuroria të ndjek 1370 njerëz në tërë shtetin, nga një njeri të këtyre institucioneve dhe të futen në burg ndryshon puna, fillon të krijohet besimi në institucione dhe njerëzit nuk do ta kuptojnë ryshfetin si mënyrë e të jetuarit dhe të realizimit të drejtave. Përndryshe do vazhdojmë të bëjmë petulla në ujë!”, ka shkruar profesori universitar, Izet Zeqiri.