Ekspertët alarmojnë: Teknologjitë moderne kanë ndryshuar mënyrën e komunikimit në marrëdhëniet shoqërore, duhet të përdoren me mençuri
Përdorimi i tepërt dhe jo adekuat i rrjeteve sociale dhe i teknologjive moderne në Maqedoninë e Veriut shpesh kanë ngritur alarmin në disa raste ku të rinjtë janë përballur me pasoja të ndryshme, madje edhe lëndime fizike. Portalb.mk bisedoi me ekspertë të fushave të ndryshme për (keq)përdorimin e teknologjive moderne ndikimin që ata kanë te […]
Përdorimi i tepërt dhe jo adekuat i rrjeteve sociale dhe i teknologjive moderne në Maqedoninë e Veriut shpesh kanë ngritur alarmin në disa raste ku të rinjtë janë përballur me pasoja të ndryshme, madje edhe lëndime fizike. Portalb.mk bisedoi me ekspertë të fushave të ndryshme për (keq)përdorimin e teknologjive moderne ndikimin që ata kanë te të rinjtë dhe fëmijët. Ata theksuan se teknologjia moderne ka ndryshuar edhe mënyrën e komunikimit në marrëdhëniet shoqërore.
Uzlifete Halili është nënë e dy fëmijëve. Ajo u shpreh se një ndër problemet që del çdo ditë e më shumë në pah është se fëmijët shumicën e kohës e kalojnë në rrjete sociale.
“Teknologjia mund të krijojë një distancë, pasi që fëmijët po kalojnë shumë kohë duke përdorur rrjetet sociale. Duke kufizuar mundësitë e komunikimit dhe bashkëpunimit me ne prindërit, shqetësimet lidhur me ndikimin e teknologjisë në marrëdhëniet sociale të fëmijëve janë bërë thelbësore sepse disa fëmijë po zhvillojnë varësi nga ekrani i telefonit dhe po shmangin komunikim me prindërit”, tha Halili.
Ajo mendon se kjo mund të menaxhohet duke vendosur kufij të qartë për kohën e përdorimit dhe duke inkurajuar aktivitete të tjera jashtë ekranit, si sportet, leximi, dhe lojërat krijuese.
“Është e rëndësishme të diskutohet me fëmijët për ndikimin e mundshëm të teknologjisë dhe për t’i mësuar ata të jenë të vetëdijshëm për pasojat e përdorimit të tepruar të saj”, tha Halili.
Profesori universitar i filozofisë dhe sociologjisë Sunaj Raimi thekson se teknologjia moderne ka krijuar një varësi të shprehive patologjike.
“Kjo varësi mund të shihet në faktin se t’ia marrësh dikujt celularin sot, është njësoj sikur një alkoolisti t’ia marrësh shishen e rakisë. E sa i përket përdorimit të IT teknologjisë, sidomos të rrjeteve sociale në zhvillimin e aftësive për një komunikim shoqëror të shëndetshëm, konsideroj se kjo ka më tepër impakt negativ, se sa pozitiv. Arsyeja qëndron aty se gjatë komunikimit në rrjete sociale, mes bashkëbiseduesve më shumë qarkullojnë informacione kontrakulturore dhe perverse, se sa edukativo-morale e pragmatike”, tha Raimi.
Sipas tij në këtë epokë të pushtimit teknologjik i pamëshirshëm, komunikimi ndër personal mund të përmirësohet vetëm nëse autoritetet shtetërore vendosin masa përmirësuese dhe preventive, në bashkëpunim me profesionistët si sociologët, psikologët, filozofët, mjekët, komunikologët etj.
Nga ana tjetër sipas komunikologut Bojan Kordallov teknologjia moderne e ka ndryshuar mënyrën e komunikimit në marrëdhëniet shoqërore.
“Unë jam mbështetës i tezës dhe mendimit se të rinjtë natyrshëm “lundrojnë” në inovacionet teknologjike dhe epokën e internetit, sepse ata kanë lindur në një kohë të tillë dhe kjo është e ashtuquajtura mjedisi i tyre natyror. Ndërsa gjenerata më të vjetra, është më e vështirë të pranohet dhe të kuptohet se është kjo mënyra e komunikimit nga gjeneratat e reja dhe ka një ndikim të madh si interneti dhe teknologjia. Kjo nuk është aspak problematike, sepse çdo gjeneratë ka dhe ka pasur specifikat e veta, dhe kjo është pjesë e evolucionit shoqëror”, tha Kodrallov.
Sipas tij problemi qëndron në faktin se ne i vlerësojmë gjeneratat e reja si të suksesshme ose të pasuksesshme bazuar në kohën tonë të rritjes dhe zhvillimit, ndërsa kjo nuk ka asnjë pikë takimi me të sotmen.
“Duhet t’i lëmë të rinjtë të krijojnë marrëdhëniet e tyre të përgjithshme sepse ata do të jetojnë në atë botë dhe nuk mendoj se po bëjnë diçka pozitive nëse ua diktojmë ne mënyrën se si ta formojnë atë”, tha Kordallov.
Kodolov theksoi se është thelbësore që të mos i etiketojmë këto ndryshime apriori si negative apo pozitive, por të përshtatemi dhe të krijojmë një komunikim të shëndetshëm në epokën digjitale.
Por sipas sociologut Sadik Emroja në teknologjinë moderne më tepër jetohet në jetën virtuale se sa në jetën reale.
“Teknologjia do të ndikojë në çdo aspekt të jetës dhe sferës në përgjithësi të shoqërisë por nëse përdorim për të mirë dhe jo për të keq, përdorimi tyre në mënyra të ndryshme të cilat janë mjaftë të dëmshme për shoqërinë e sidomos për një shoqëri patriarkale. Ndikimi i marrëdhënieve sociale ndikon jashtëzakonisht shumë mbi 99 % dhe në bazë të sondazheve që ne kemi bërë si sociolog dhe hulumtimet sociologjike. Beve na brengosë se nuk e marrim rrugën atë që është pozitive, por hymë në atë që zakonisht hynë diskriminimi, asimilim, agresiviteti”, tha Emroja.
Ai shtoi se për të balancuar përfitimet dhe sfidat që teknologjia sjell në marrëdhëniet sociale duhet të rregullohen më mirë si nga autoritetet po ashtu edhe nga shoqëria.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut së fundmi u ngrit alarmi për rrjetin TikTok nga lëndimet që u shkaktuan te fëmijët në sfidën e ashtuquajtur “Supermen”, por ministri i Digjitalizimit, Stefan Andonovski deklaroi se Qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut. Një nismë e ngjashme për kufizim të TikTokut në RMV u propozua edhe në vitin 2023, por nuk u bë asgjë konkrete ndërsa e njëjta mbeti në harresë. Nga sfidat e TikTokut në RMV janë regjistruar disa raste me dëme te të rinjtë.