Trump: Jemi shumë pranë marrëveshjes me Iranin
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se SHBA dhe Irani janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje dhe se bisedimet mund të rifillojnë që këtë fundjavë. Ky zhvillim vjen në një kohë kur një armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit ka hyrë në fuqi. Presidenti i SHBA-ve e konsideroi këtë një “ditë historike” për Libanin dhe […]
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se SHBA dhe Irani janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje dhe se bisedimet mund të rifillojnë që këtë fundjavë. Ky zhvillim vjen në një kohë kur një armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit ka hyrë në fuqi.
Presidenti i SHBA-ve e konsideroi këtë një “ditë historike” për Libanin dhe shton se shpreson që Hezbollahu “të sillet mirë” gjatë armëpushimit.
Izraeli dhe Hezbollahu vazhduan të shkëmbenin sulme përgjatë kufirit libanez në orët para se marrëveshja të hynte në fuqi në mesnatë sipas kohës lokale.
Hezbollahu vazhdoi të lëshonte raketa drejt veriut të Izraelit deri pak para mesnatës, kur armëpushimi hyri në fuqi. Thuhet se bombardimet izraelite ndaj fshatrave libaneze vazhduan edhe për gjysmë ore më pas.
Megjithatë, shpresa është që ky armëpushim, i ndërmjetësuar nga Uashingtoni, do të çojë përpara një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Libanit, të cilët nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
Presidenti Trump ka ftuar liderët e tyre në Shtëpinë e Bardhë për atë që e përshkroi si “bisedimet e para domethënëse” mes dy vendeve në më shumë se 40 vite.
Megjithatë, Izraeli këmbëngul se forcat e tij nuk do të tërhiqen nga Libani jugor, ku kryeministri tha se po krijohet ajo që ai e quajti një “zonë sigurie” gjashtë milje nga kufiri.
Hezbollahu ka treguar se do t’i përmbahet armëpushimit, por ka thënë gjithashtu se prania e vazhdueshme e Izraelit i jep libanezëve të drejtën për rezistencë, një qëndrim që mund të shkaktojë komplikime.