Trump shpall fundin ushtarak të luftës, ruan “bllokadën më të madhe të të gjitha kohërave”
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se lufta kundër Iranit, nga pikëpamja ushtarake, ka marrë praktikisht fund. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk do ta heqin bllokadën detare ndaj porteve iraniane, e cila mbetet në fuqi në for...
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se lufta kundër Iranit, nga pikëpamja ushtarake, ka marrë praktikisht fund. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk do ta heqin bllokadën detare ndaj porteve iraniane, e cila mbetet në fuqi në formën e plotë.
“Ushtarakisht, Irani praktikisht ka marrë fund. Ne thjesht po e ruajmë status quo-në”, u tha Trump gazetarëve të hënën në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij, Irani është “dekapituar”.
Deklarata erdhi pas takimit të Trumpit me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, vendi i të cilit ka rol ndërmjetësues në konflikt. “Ne po e ruajmë status quo-në dhe këtë po e bëjmë me insistimin e vendeve fqinje”, tha Trump. Ai shtoi se pas bisedës me liderin katarez kishte vendosur të mos rifillonin sulmet.
“Bllokada më e madhe e të gjitha kohërave”
Trump nuk dha asnjë shenjë se do t’i tërheqë mijëra ushtarët amerikanë të vendosur në ujërat pranë Iranit. Këta ushtarë mbajnë bllokadën që synon të ndalojë daljen e naftës iraniane në tregjet botërore. “Kemi bllokadën më të madhe ushtarake të të gjitha kohërave”, tha ai.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, presidenti amerikan shkroi se Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahreini, Kuvajti dhe Katari preferojnë vazhdimin e bllokadës në vend të sulmeve të reja. Ai njoftoi edhe operacionin e ri “Iron Gate” (Porta e Hekurt). Ky është një bllokadë e përbashkët tokësore dhe detare me mbështetjen e aleatëve të Gjirit. Ajo synon të ndërpresë furnizimin e Iranit me armë dhe teknologji me përdorim të dyfishtë, si dhe të ardhurat që kalojnë përmes kufijve tokësorë dhe Detit Kaspik.
“Plotësisht të gatshëm” nëse duhet
Trump tha se sulme të reja nuk janë të planifikuara dhe se shpreson që së shpejti të arrihet një marrëveshje paqeje. Sipas tij, ka “dinamikë pozitive” dhe “shans të mirë” që lufta të përmbyllet. “Por nëse duhet të ndërhyjmë sërish, jemi plotësisht të gatshëm”, paralajmëroi ai.
Presidenti amerikan theksoi se ndalimi i Iranit për t’u pajisur me armë bërthamore mbetet “pikë e panegociueshme”.
Një ditë më parë, të dielën, Trump kishte deklaruar se SHBA-ja “ka fituar në Iran” dhe se tani mbetet vetëm që lufta të çohet deri në fund. Në një intervistë për CNN ai tha se, nëse bisedimet ecin përpara dhe Teherani nënshkruan një marrëveshje të fortë, është “shumë e pagjasë” që SHBA-ja të rifillojë sulmet. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se nuk sheh përparim në bisedime.
Kushtet e Teheranit
Irani, nga ana e tij, ka disa kërkesa për çdo marrëveshje:
– heqjen e bllokadës detare amerikane;
– rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit;
– heqjen e sanksioneve;
– çngrirjen e aseteve iraniane;
– dëmshpërblim për dëmet e luftës;
– ndalimin e armiqësive në të gjitha frontet, përfshirë operacionet izraelite në Liban.
Deklaratat e Trumpit vijnë pas humbjes së rëndë të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit javën e kaluar. Kjo humbje ka shtuar presionin mbi administratën për ta përmbyllur konfliktin. Në një intervistë për CBS, Trump tha se Irani ishte afër një marrëveshjeje, por rezultati i zgjedhjeve i kishte dhënë Teheranit shpresë të re.
Lufta nisi më 28 shkurt me sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit, në të cilat u vra udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei. SHBA-ja e vendosi bllokadën detare ndaj porteve iraniane më 13 prill, pas dështimit të bisedimeve në Islamabad. Bllokada u hoq në qershor, por u rivendos në mesin e korrikut, pasi memorandumi i mirëkuptimit mes palëve u shemb.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.