Barcelona ia plotëson kërkesën Hansi Flick
Sipas mediumit “Sport”, Barcelona është pranë përmbushjes së një prej kërkesave kryesore të trajnerit Hansi Flick, duke ndërtuar një palestër të re në qendrën stërvitore të klubit. Punimet për ndërtimin e palestrës së re në “Ciutat Esportiv...


Sipas mediumit “Sport”, Barcelona është pranë përmbushjes së një prej kërkesave kryesore të trajnerit Hansi Flick, duke ndërtuar një palestër të re në qendrën stërvitore të klubit.
Punimet për ndërtimin e palestrës së re në “Ciutat Esportiva Joan Gamper” kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe katalunasit shpresojnë që futbollistët të mund ta shfrytëzojnë atë menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të kombëtareve.
Për herë të parë ishte raportuar gjatë verës se Barcelona synonte t’u ofronte lojtarëve ambiente moderne të palestrës, të pajisura me teknologjinë dhe mjetet më të fundit, në qendrën stërvitore të klubit.
Deri më tani, futbollistët kanë pasur në dispozicion një palestër në një pjesë tjetër të “Ciutat Esportiva”, ku mund të zhvillonin ushtrimet e forcës dhe ato për rikuperim.
Megjithatë, kërkesa për ndërtimin e një hapësire të re erdhi nga Flick dhe stafi i tij teknik, të cilët vlerësuan se skuadrës i nevojiteshin ambiente më moderne dhe shumë më afër fushave të stërvitjes.
Për këtë arsye, Barcelona vendosi të shfrytëzojë një pjesë të hapësirës anësore pranë njërës prej fushave stërvitore për ndërtimin e palestrës së re.
Qëllimi është që futbollistët të mund t’i kombinojnë stërvitjet në fushë me ushtrimet në palestër, pa pasur nevojë të lëvizin nga njëra pjesë e kompleksit në tjetrën. Kjo do ta lehtësojë edhe organizimin e përditshëm të punës.
Sipas raportimit, objekti është pothuajse i përfunduar. Kanë mbetur vetëm disa punime, veçanërisht vendosja e pajisjeve sportive, por Barcelona pret që palestrën e re t’ia vërë në dispozicion ekipit të parë gjatë javëve të ardhshme.
Disa pjesëtarë të stafit teknik të Flickut kanë përcjellë nga afër ecurinë e punimeve gjatë javëve të fundit.
Njëri prej tyre është Benjamin Kugel, trajneri gjerman i përgatitjes fizike, i cili iu bashkua Barcelonës verën e kaluar me kërkesë të veçantë të Flickut.
Klubi e angazhoi atë pikërisht për të ngritur nivelin e përgatitjes fizike të skuadrës dhe Kugel ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt edhe në përgatitjen e palestrës së re.
Gjermani njihet për qasjen e tij metodike dhe rëndësinë që u kushton edhe detajeve më të vogla. Gjatë vizitave në objekt, ai i ka dhënë klubit disa sugjerime për elementet e palestrës që, sipas tij, mund të përmirësohen.
Plani aktual është që palestra të hapet pas përfundimit të ndeshjeve të kombëtareve, megjithëse afati përfundimtar do të varet nga përfundimi i punimeve të mbetura dhe ardhja e pajisjeve sportive, si dhe instalimi i tyre.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.