Ursula von der Leyen: Nga Tirana në Shkup, BE ofron mbështetje për rajonin, por kërkon reforma
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të dielën nisi turneun e saj në Ballkanin Perëndimor. Ky është rasti për të përsëritur mbështetjen e BE-së për rrugën e pranimit të rajonit në BE dhe aksesin gradual në Tregun e Përbashkët, si dhe për të diskutuar Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së […]

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të dielën nisi turneun e saj në Ballkanin Perëndimor. Ky është rasti për të përsëritur mbështetjen e BE-së për rrugën e pranimit të rajonit në BE dhe aksesin gradual në Tregun e Përbashkët, si dhe për të diskutuar Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së për Ballkanin Perëndimor për vitet 2024-2027. Nesër ajo do të vij në Shkup dhe një ndër kërkesat e paralajmëruar të Mickoskit ndaj saj do të jetë që shtetasit e Maqedonisë të kalojmë nëpër korsinë e shpejtë në kontrollin e pasaportave në aeroporte. Arsyeja është Sistemi Elektronik i Hyrjes dhe Daljes për vendet e BE-së, i cili filloi të zbatohet më 12 tetor dhe vlen për të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet jashtë zonës Shengen, përfshirë Maqedoninë. Miskoski vlerëson se Evropa nuk duhet të na diskriminojë sepse nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.
“Nëse duam vërtet ta shohim rajonin si pjesë të Evropës deri në vitin 2030, mendoj se më e pakta që duhet të bëjë Evropa është të mos diskriminojë. Ne të gjithë duhet të jemi qytetarë të Evropës dhe të gjithë duhet të jemi në gjendje të kalojmë kontrollin e pasaportave dhe të mos diskriminohemi sepse nuk jemi pjesë e BE-së. Ne të gjithë duhet të kemi pasaporta biometrike, nëse, siç thonë ata – nëse ka vullnet, ka edhe mënyrë. Le të jetë kjo ndihma e parë që Bashkimi Evropian do t’i bënte Ballkanit Perëndimor”, tha Hristijan Mickoski.
Investime në Ballkanin Perëndimor deri në 4 miliardë euro
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dje nga Tirana tha se falë marrëveshjeve që do nënshkruhen në Tiranë gjatë Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, rajoni mund të marrë deri në 4 miliardë euro investime.
Ajo tha se mesazhi për biznesin është se kush ka zgjedhur Ballkanin Perëndimor për të investuar, ka zgjedhur Evropën.
“Për pak momente do të nënshkruajmë 10 marrëveshje të biznesi. Nesër do të diskutoni 24 investime të tjera, së bashku ato mund të sjellin më shumë se 4 miliardë euro në rajon. Kjo do të jetë një nxitje masive në të gjithë rajonin. Çfarë e bën kaq të veçantë këtë forum, nuk është vetëm madhësia e investimeve. Po çelim disa iniciativë thelbësore ekonomike tonat për ju. Sot po përçojmë një sinjal të qartë për biznesin: nëse zgjidhni Ballkanin Perëndimor, zgjidhni Evropën”, tha von der Leyen.
“Afrimi në BE ka të bëjë dhe për një biznes të zgjuar, jo vetëm për çështje politike. Ekonomia juaj ka fituar akses në tregun tonë të përbashkët, dhe në këmbim ju zbatoni reforma kyçe.
Dyert e sektorit janë të hapura për kompanitë tuaja, por dhe për kompanitë tona. Plani i rritjes ekonomike ka potencial të dyfishojë planin në Ballkanin Perëndimor. Dhëna e 100 mln euro, tani do zbatohet ky plan, ju keni bërë shumë punë të mirë, tani që jemi në rrugën e duhur, kjo është rruga që të aksesojë të gjithë fondit e planit të rritjes, që ka rreth 1 miliard euro.
Vitin që vjen do heqim tarifat roaming. Mesazhi im i fundit është ky, zgjerimi nuk është çështje politike, por njerëzit. Shqipëria e do Europën, 90% e shqiptarëve do votonin për BE, sipas studimeve. Ky është sinjali më i qartë. Gjenerata jonë e re do të jetojë në një Bashkim Evropian të fortë. I dashur Edi të uroj çdo suksese në rrugën drejt BE dhe unë do t’u mbështes”, u shpreh ajo.
Shqipëria me progres të “merkullueshëm”
Në sytë e Brukselit, progresi i Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian duket i mrekullueshëm. Ky ishte mesazhi që konfirmoi në Tiranë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sipas saj “një vit më parë erdha në Shqipëri me një zotim: qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të nisnin të përjetonit BE-në në jetën e përditshme. Pas një viti ka ndodhur kështu. Më kujtohet shumë mirë Edi kur më the që “Shqipëria do të bëhet pjesë e SEPA”. Shërbimet e mia thanë që duhet të bëhej shumë kohë nga ju, por për më pak se dy vjet e bëtë realitet. Që javën e shkuar kompanitë në Shqipëri mund të dërgojnë para në BE dhe të marrin para që andej me kosto shumë të ulët. Ambasadori im këtu më tha që donte të merrte para në Tiranë dhe i duhej të priste 3-4 ditë dhe kosto ishte 50 euro. Në 8 tetor e provoi sërish, dërgesa u bë në pak minuta dhe pa asnjë kosto”.
“Ishte kënaqësi të kthehem në Shqipëri, është kënaqësi t’i rikthehem turneut. Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE. Kemi bërë rrugë të gjatë, progres. Është një progres i mrekullueshëm, i bërë në kohë rekord. Ne planifikojmë të hapim të fundit këtë vjeshtë. Unë di përpjekjen tuaj personale dhe të ekipit. Ju kërkoni t’i mbyllni grup kapitujt deri në 2026, kjo është ambicioze. Ne na pëlqen ambicia”, tha Von der Layen.
Mali i Zi mund t’i arrij ambiciet për në BE
Mali i Zi mund të arrijë ambiciet e tij evropiane nëse mbetet i përqendruar në qëllim dhe i bashkuar, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Von der Leyen mbërriti dje në Mal të Zi për një vizitë, ndërsa sotdo të hapë konferencën e investimeve BE-Mali i Zi “Rritje e Mençur, E Ardhme e Gjelbër: Përshpejtimi i Investimeve në Mal të Zi”, në Lushticë.
“Ju nuk jeni vetëm të përkushtuar ndaj të ardhmes suaj evropiane, ju jeni të apasionuar pas saj”, tha Von der Leyen.
Siç deklaroi ajo, kjo është e dukshme sepse Mali i Zi është lider në procesin e pranimit.
“Mali i Zi mund të arrijë ambiciet e tij në BE nëse mbetet i përqendruar në qëllim dhe i bashkuar”, tha Von der Leyen.
Nga Tivati, Von der Leyen do të udhëtojë sot për në Sarajevë për takime me anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krshto, pas të cilave do të vizitojë edhe Qendrën Memoriale të Srebrenicës.
Von der Leyen do të udhëtojë nga Bosnja dhe Hercegovina për në Beograd, ku të mërkurën në mëngjes do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin Gjuro Macut, pas të cilave do të udhëtojë për në Prishtinë për takime me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Nga Prishtina, Von der Leyen do të mbërrijë në Shkup të mërkurën pasdite, që do të jetë ndalesa e fundit e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
Siç njofton Komisioni Evropian, gjatë qëndrimit të saj në Shkup nesër, Von der Leyen do të takohet me presidenten Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, të mërkurën pasdite.
LEXO: Ursula von der Leyen më 13 tetor do të fillojë vizitat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor
Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
