Valon Lluka mbetet në paraburgim, Apeli ia refuzon ankesën
Valon Lluka mbetet në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së tij dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktvendimit, masa e paraburgimit prej një muaji lloga...


Valon Lluka mbetet në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së tij dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas aktvendimit, masa e paraburgimit prej një muaji llogaritet nga 7 tetori deri më 6 nëntor 2026.
Lluka dyshohet për veprat penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Ndërkombëtar”, “Mashtrimi”, “Lidhja e kontratës së dëmshme” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.
Mbrojtësi i tij, avokati Driton Muharremi, kishte kërkuar ndërprerjen e paraburgimit dhe mbrojtjen në liri, ose caktimin e ndonjë mase alternative. Në ankesë, mbrojtja kishte kundërshtuar ekzistimin dhe arsyetimin e dyshimit të bazuar, duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë kishte pranuar pretendimet e Prokurorisë pa analizë të mjaftueshme të pavarur të provave.
Megjithatë, Apeli ka vlerësuar se provat e deritanishme e mbështesin dyshimin e bazuar dhe se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe i ndërhyrjes në prova.
Në arsyetim përmendet se Lluka, gjatë marrjes në pyetje, ishte interesuar të dinte se kush nga kompania “Hirano Mushrooms” kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij dhe nëse ishte marrë në pyetje Hasan Lahu. Sipas gjykatës, këto rrethana, bashkë me rrezikun e ndërhyrjes në dokumentacionin financiar, komunikimet elektronike dhe provat e tjera ende të pasiguruara, e justifikojnë mbajtjen në paraburgim.
Apeli, ndërkaq, nuk e ka pranuar arsyetimin e shkallës së parë për rrezikun e arratisjes dhe të përsëritjes së veprës penale, duke vlerësuar se për këto dy baza mungojnë rrethanat konkrete.
Dyshimet e përshkruara në vendim lidhen, ndër të tjera, me administrimin e një granti për kompaninë “Hirano Mushroom” dhe me kontrata e pagesa të kompanisë “Isdiar LLC”, përfshirë projektin e Aeroportit të Bengazit në Libi.
Për grantin, në aktvendim përshkruhen dyshime për paraqitjen e makinerive ekzistuese si investime të reja, përdorimin e një fature fiktive dhe devijimin e mjeteve, me përfitim të pretenduar të kundërligjshëm prej 39.595 eurosh.
Në pjesën që lidhet me “Isdiar LLC”, vendimi përshkruan dyshime për një pagesë prej 600 mijë dollarësh mbi bazën e një fature të parregullt, si dhe për transferta prej gjithsej rreth 1,75 milion eurosh për shërbime që, sipas dyshimeve të paraqitura në aktvendim, nuk ishin ofruar.
Vendimi i Apelit ka të bëjë me masën e paraburgimit dhe nuk përbën vendim për fajësinë e Llukës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.