Veliaj ndan lajmin nga qelia: Një tjetër parkim nëntokësorë do t’i shtohet Tiranës

Erion Veliaj ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale lajmin për ndërtimin e një parkimi tjetër nëntokësorë në Tiranë. Përmes një postimi nga qelia, Veliaj shkruan se projekti i ri do të zhvillohet te sheshi ‘Shopen’, në hyrjen e Parkut të Liqenit. Kryebashkiaku i kryeqytetit ka renditur po ashtu edhe të gjithë parkimet […]

maj 6, 2025 - 18:00
 0  4
Veliaj ndan lajmin nga qelia: Një tjetër parkim nëntokësorë do t’i shtohet Tiranës

Erion Veliaj ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale lajmin për ndërtimin e një parkimi tjetër nëntokësorë në Tiranë.

Përmes një postimi nga qelia, Veliaj shkruan se projekti i ri do të zhvillohet te sheshi ‘Shopen’, në hyrjen e Parkut të Liqenit.

Kryebashkiaku i kryeqytetit ka renditur po ashtu edhe të gjithë parkimet që janë ndërtuar këto 10 vite në Tiranë dhe shton se ka akoma punë për të bërë.

Postimi i plotë i Veliajt:

A të pëlqen projekti i parkingut nëntokësorë te sheshi “Shopen”, në hyrje të Parkut të Liqenit?

Në 10 vjet kemi ndërtuar 6 parkime nëntokësore në Tiranë: te Sheshi ‘Skënderbej’, te Bulevardi i Ri, ish ‘7 Xhuxhat’, te Kopshti Zoologjik dhe te sheshi ‘Italia’; si dhe disa vendparkime mbi tokë, te stadiumi ‘Selman Stërmasi’, ‘Asllan Rusi’, Diga e Liqenit etj. Vendosëm edhe kushtin se çdo pallat i ri që ndërtohej në qytet duhet të kishte edhe dy kate parkim për rezidentët.

Ama, puna jonë nuk ndalet këtu. Kemi ende për të bërë. Ndaj, jam shumë i lumtur që do t’i shtojmë Tiranës edhe një tjetër parkim te sheshi ‘Shopen’, për të gjithë banorët e Njësisë 5 dhe vizitorët e Parkut. E mezi pres të mbarojmë parkingjet nëntokësore që po ndërtojmë te Teatri i Ri dhe sheshi ‘Avni Rustemi’.

E di që parkimi në Tiranë është një problem për qytetarët, por kjo mund të zgjidhet vetëm me punë dhe jo me fjalë.