VO DHE QYMYR
Shkruan: Shkëlzen Gashi LVV jo veç që i ka mujtë rrast në disa palë zgjedhje rresht, por jau ka imponu edhe mënyrën se si e konceptojnë opozitarizmin. Gjatë kësaj dekade, partitë që sot janë në opozitë i kanë humbë disa palë zgjedhje rresht...
Shkruan: Shkëlzen Gashi
LVV jo veç që i ka mujtë rrast në disa palë zgjedhje rresht, por jau ka imponu edhe mënyrën se si e konceptojnë opozitarizmin.
Gjatë kësaj dekade, partitë që sot janë në opozitë i kanë humbë disa palë zgjedhje rresht. Megjithatë, shumë rrallë i kemi dëgju tu e ba pyetjen: çka kemi ba gabim kur kemi qenë në pushtet që qytetarët na kanë refuzu? Shpjegimi i tyne ka qenë se: LVV-ja i ka mashtru qytetarët, ka manipulu me ta dhe ka fitu me populizëm.
Tash këto parti opozitare kanë fillu me organizu aksione simbolike kundër Qeverisë: me vo, me qymyr e me performanca tjera publike.
LVV-ja nuk ka fitu pse ka gjujtë me vo, pse ka përmbysë tavolina apo pse ka organizu aksione simbolike. Këto kanë qenë mjete politike. Arsyeja kryesore pse LVV-ja është rritë ka qenë pakënaqësia e madhe e qytetarëve me partitë që kanë qeverisë.
Pra, partitë opozitare po e kopjojnë formën, pa u marrë me shkakun.
Po të sillnin vota aksionet simbolike vetvetiu, PSD-ja do të ishte sot njëra prej partive ma të mëdha në Kosovë. PSD-ja ka ba aksione kreative, mediatike, shpesh edhe shumë ma të mendume se këto që po i shohim sot. Megjithatë, PSD nuk ka arritë as me e kalu pragun sepse aksioni simbolik ta sjell vëmendjen, por nuk ta sjell domosdoshmërisht votën.
Për votë duhen besimi, organizimi, njerëzit, programi dhe, mbi të gjitha, bindja e qytetarit se ti je alternativë reale. Prandaj, në vend se me mendu: “LVV-ja ka ba aksione dhe ka fitu, hajde t’i bajmë edhe na”, partitë opozitare do të duhej me u marrë me dy pyetje shumë ma të vështira:
Pse na kanë largu qytetarët nga pushteti?
Çka po u ofrojmë sot ndryshe që me na kthy prapë në pushtet?
Ka edhe një paradoks tjetër. Këto parti për vite të tana i kanë përqeshë metodat e LVV-së e sot i përdorin vetë. Në këtë mënyrë, pa dashtë, po ia pranojnë LVV-së edhe një fitore tjetër: jo vetëm që i ka mujtë në zgjedhje, por ua ka imponu edhe mënyrën se si po e konceptojnë opozitarizmin. Problemi është se, kur e kopjon kundërshtarin, shpesh e forcon origjinalin.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.