1.1 milionë euro të sekuestruara në Strumicë: 597 mijë euro u gjetën cash, dyshohet për evazion fiskal dhe pastrim parash
Një aksion i përbashkët i institucioneve shtetërore ka çuar në sekuestrimin e rreth 1.1 milionë eurove nga një person juridik dhe dy persona fizikë në Strumicë. Prej shumës së sekuestruar, 597.500 euro janë gjetur në para të gatshme, ndë...
Një aksion i përbashkët i institucioneve shtetërore ka çuar në sekuestrimin e rreth 1.1 milionë eurove nga një person juridik dhe dy persona fizikë në Strumicë.
Prej shumës së sekuestruar, 597.500 euro janë gjetur në para të gatshme, ndërsa pjesa tjetër ndodhej në llogari transaksionale.
Detajet u bënë publike në një konferencë të përbashkët për media nga drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BJB), Aleksandar Janev, përfaqësues të SPB-së Strumicë, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Policisë Financiare dhe Prokurorisë Publike.
Hetimi nisi në prill
Sipas Janevit, hetimi për dyshimet mbi prejardhjen e paligjshme të mjeteve financiare kishte nisur në prill të këtij viti.
Te personi tek i cili u gjetën paratë, autoritetet nuk kanë konstatuar dokumentacion financiar përkatës që do të dëshmonte prejardhjen e tyre.
Hetimi financiar më pas ka çuar edhe te një tjetër transaksion i dyshimtë. Sipas autoriteteve, gjatë vitit 2018, nga persona fizikë dhe juridikë në një llogari bankare të një personi fizik ishin depozituar edhe 500 mijë euro.
Analizat kanë zbuluar, sipas Janevit, një mospërputhje të konsiderueshme ndërmjet të ardhurave vjetore të deklaruara si kursime dhe shumës së mjeteve të depozituara.
2 milionë denarë detyrim tatimor
Autoritetet thonë se gjatë hetimit nuk është gjetur dokumentacion i përshtatshëm që do të justifikonte prejardhjen dhe përdorimin e mjeteve financiare për të gjithë familjen.
Po ashtu, është konstatuar edhe një detyrim tatimor prej rreth 2 milionë denarësh, i cili, sipas autoriteteve, nuk ishte paguar në buxhet.
“Ne gjithmonë do të pyesim se nga vijnë paratë, përkatësisht cila është prejardhja e tyre, kur ato janë objekt i një hetimi. Qytetarët e ndershëm maqedonas që veprojnë në përputhje me ligjin nuk kanë nga çfarë të frikësohen. Duhet të frikësohen ata që nuk kanë prejardhje të përshtatshme të mjeteve financiare dhe ata që nuk kanë bazë ligjore për pasurinë e fituar”, tha Janev.
Kallëzim penal për tre subjekte
SPB Strumicë ka dorëzuar në Prokurorinë Publike të Strumicës kallëzim penal ndaj dy personave fizikë dhe një personi juridik.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale evazion fiskal, fajde dhe pastrim parash.
Janev e cilësoi rastin si rezultat të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe tha se hetimet e këtij lloji përbëjnë një kapitull të ri në luftën kundër mjeteve financiare me prejardhje të dyshimtë.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera, pasi procedura ndodhet ende në fazën e parahetimit.
Personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
The post 1.1 milionë euro të sekuestruara në Strumicë: 597 mijë euro u gjetën cash, dyshohet për evazion fiskal dhe pastrim parash appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.