20 vjet Lajm

Shkruan: Naser Selmani, ish kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë Sot, gazeta ditore LAJM shënon 20-vjetorin jubilar të themelimit. Ky përvjetor është një ngjarje me rëndësi të madhe – jo vetëm për botuesin e saj, kolegun me përvojë të gjatë në gazetari, z. Fejzi Ajdari, por edhe për të gjithë gazetarët dhe stafin që […]

Prill 18, 2025 - 13:00
 0  4
20 vjet Lajm

Shkruan: Naser Selmani, ish kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë

Sot, gazeta ditore LAJM shënon 20-vjetorin jubilar të themelimit. Ky përvjetor është një ngjarje me rëndësi të madhe – jo vetëm për botuesin e saj, kolegun me përvojë të gjatë në gazetari, z. Fejzi Ajdari, por edhe për të gjithë gazetarët dhe stafin që gjatë dy dekadave kanë kontribuar për suksesin e kësaj gazete.

LAJM ka qenë dhe mbetet një zë i besueshëm në shërbim të informimit profesional, të pavarur dhe në kohë të lexuesit shqiptar.

Me këtë rast, dëshiroj t’i uroj përzemërsisht botuesit Ajdari,
si dhe të gjithë ekipit redaksional e teknik të LAJM-it: Urime përvjetori! Ju dëshiroj edhe shumë vite të tjera pune të suksesshme dhe profesionale.

Por ky përvjetor nuk është i rëndësishëm vetëm për themeluesit dhe kontributorët e gazetës – është po aq i rëndësishëm edhe për vetë shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

LAJM, me paraqitjen e tij para 20 vitesh, plotësoi një boshllëk serioz në tregun mediatik në gjuhën shqipe, në një kohë kur gazetaria e vjetër, e ngarkuar me ideologji dhe partishmëri, ende kishte ndikim të madh.

LAJM solli freski, profesionalizëm dhe një qasje të re ndaj lajmit dhe interesit publik. Ai lindi pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, në një periudhë të mbushur me shpresa për avancimin e të drejtave qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve, në përputhje me standardet demokratike evropiane.

Veçanërisht të paharrueshme janë vitet e qeverisjes autoritare 2008–2017, kur pjesa më e madhe e mediave shqipe iu nënshtruan trysnive të regjimit Gruevski-Ahmeti.

Në atë kohë, LAJM u shndërrua në një nga zërat e rrallë dhe të guximshëm që denonconte padrejtësitë, keqpërdorimet dhe abuzimin me pushtetin.

As kërcënimet dhe sulmet e vazhdueshme nuk e ndalën gazetën që të qëndrojë besnike ndaj misionit të saj – të jetë në shërbim të së vërtetës dhe interesit publik.

Për këtë guxim, kurajë dhe përkushtim profesional, botuesi Fejzi Ajdari dhe i gjithë stafi i LAJM-it meritojnë mirënjohjen tonë më të thellë – deri në përkulje.

Gëzuar përvjetorin! Me përkushtimin tuaj të palodhur, dëshmoftë LAJM edhe shumë mot për realitetin tonë – sido që të jetë ai.