50 milionët për Badocin “në emër të Kurtit” – Prokuroria nis hetime për bisedën e asambleistëve të VV’së
Video ku asambleistët e VV’së drejtojnë akuza ndaj njëri-tjetrit për shkëmbimet e pronave, e përmendet edhe kryeministri Albin Kurti, po hetohet nga Prokuroria. Aty dëgjohet asambleisti Berat Lahu, duke thënë se në emër të Albin Kurtit janë vjedhë 50 milionë për Badovcin. Vendimi, tashmë i anuluar, i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, për
Video ku asambleistët e VV’së drejtojnë akuza ndaj njëri-tjetrit për shkëmbimet e pronave, e përmendet edhe kryeministri Albin Kurti, po hetohet nga Prokuroria. Aty dëgjohet asambleisti Berat Lahu, duke thënë se në emër të Albin Kurtit janë vjedhë 50 milionë për Badovcin.
Vendimi, tashmë i anuluar, i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, për këmbimin e pronës komunale në zonën Prishtina e Re me disa prona private në Badoc, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Shkak është bërë një bisedë mes asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e që është kapur nga kamerat. Aty konfirmohet se kjo parti ia kishte bërë kuorumin LDK’së duke qëndruar në sallë, kur ishte miratur vendimi.
Asambleisti i VV’së, Berat Lahu, ka kërkuar nga bashkëpartiakët që të flasin për negociatat që janë bërë për këto këmbime, teksa ka deklaruar se në emër të kryeministrit Albin Kurti janë vjedhur miliona për Badocin.
Për këtë deklaratë dhe të tjera, Prokuroria Themelore e Prishtinës tashmë ka nisur hetime. Nga kjo prokurori i kanë thënë Gazetës Express se prokurori i shtetit është duke e trajtuar rastin dhe se është në fazën fillestare të procedurës.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, ju njoftojmë se prokurori i shtetit është duke e trajtuar rastin dhe është në fazën fillestare të procedurës, andaj për momentin më shumë informata lidhur me këtë nuk mund të jepen!”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Përplasja mes asambleistëve të VV’së u bë në seancën e 9 dhjetorit, kur asambleistët Edmond Azemi e Berat Lahu qëndruan në sallë duke e bërë kuorumin për votim të buxhetit. Kjo nuk u prit mirë nga asambleistët e tjerë e zyrtarët e Vetëvendosjes.
Gëzim Sveçla, Egzon Azemi dhe Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të Glauk Konjufcës, tentuan që t’i bindin këta dy asamblistë të largohen nga salla.
Egzon Azemi, që tash më nuk është as asamblist në Prishtinë, e pyet Lahun nëse e kanë kërcënuar me burg, meqë i njëjti ishte arrestuar për rastin i njohur si “Brezovica”
“Nëse të kanë kërcënu me burg, kallxo Për qita po t’bojnë presion”, dëgjohet teksa i thotë Egzon Azemi-Berat Lahut.
“O Egzon, unë e kam vujtë, e kam kry..”, përgjigjet Lahu.
Aty Lahu i drejtohet Azemit pyet për bisedimet që janë bërë për këmbimin e pronave në Badoc.
“Kur m’i kallxoni negociatat, kur m’i kallxoni negociatat për Badovcin, tani… S’ki nevojë… (nuk kuptohet). E mbroj veten. Kur t’mi kallxoni negociatat për Badovcin, unë kam me dalë. Kur t’mi kallxoni negociatat për Badovcin. O s’munet me m’shantazhu mu kërkush. As ti as kërkush. Se ti e bon, se qekjo shantazh osht”, dëgjohet teksa thotë Lahu.
Egzon Azemi në këtë video e mohon se është duke e shantazhuar Lahun, megjithatë ky i fundit e pyet nëse ka qenë interes i qytetarëve me i dhanë 50 milionë euro komunës.
“Interesi i popullit u kanë me ia jap 50 milionë komunës të Prishtinës a? (Nuk kuptohet)”, thotë Lahu.
Dhëndri i Liburn Aliut flet për një hajni në Badovc në emër të kryeministrit Kurti.
“Në emër të Albin Kutit janë vjedhë edhe për Badovcin. Në emër të Albin Kurtit jam shantazhu. A e nive çka tha? A e nive çka tha? A e nive çka tha? Ti je dëshmitar (…nuk kuptohet)”, dëgjohet teksa thotë Lahu.
“Qe ku o ky zotnia që e votojke Badovcin. Dilke në foltore (nuk kuptohet), e ka negociu. Pse kena nejtë, pse kena nejtë qitu? Në emër të Albinit ia ke dhanë 50 milionë. Ti i ke dhanë, ti, ti, ti (nuk kuptohet). Albin Kurti i thirrke njerëzit në telefon (nuk kuptohet) Dil sqarone atje 50 milionëshin… O Egzon lej këto farë sendesh, a keni marrë masa që e ka votu këto? Mos më bon presion”, thotë Lahu.
Ndryshe, vendimi për këmbimin e këtyr e pronave ishte anuluar me 27 vota për nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në shkurt të këtij viti. Seanca ishte thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.