60 nxënës shqiptarë “teprojnë”, 6 maqedonas “mjaftojnë” – kur numrat fillojnë të flasin për diskriminim
Fejzi HAJDARI Ka momente kur statistikat flasin më qartë se çdo deklaratë politike. Dhe shifrat që dalin nga shkolla “Panajot Ginovski” në Butel Shkup, janë të tilla që nuk mund të kalohen me një “do t’i kontrollojmë edhe një herë të dhënat...
Fejzi HAJDARI
Ka momente kur statistikat flasin më qartë se çdo deklaratë politike. Dhe shifrat që dalin nga shkolla “Panajot Ginovski” në Butel Shkup, janë të tilla që nuk mund të kalohen me një “do t’i kontrollojmë edhe një herë të dhënat”, sepse këtu nuk kemi thjesht një debat për organizimin e paraleleve.
Kemi një standard të dyfishtë që ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si trajtohet arsimi në gjuhën shqipe.
Në të njëjtën shkollë, paralelet në gjuhën maqedonase vazhdojnë të funksionojnë edhe me 6, 7 apo 8 nxënës. Ndërkohë, në gjuhën shqipe kemi paralele me nga 30 nxënës, madje edhe 60 nxënës në dy paralele, dhe megjithatë askush nuk e sheh të arsyeshme që organizimi të përshtatet me numrin real të nxënësve.
Atëherë lind pyetja e thjeshtë: Nëse 6 nxënës mjaftojnë për të mbajtur një paralele në gjuhën maqedonase, pse 30 nxënës shqiptarë nuk mjaftojnë për të garantuar një paralele shqiptare?
Çfarë lloj standardi është ky?
Nëse kriteri është numri i nxënësve, atëherë kriteri duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Nëse kriteri është interesi i fëmijëve, atëherë interesi i fëmijëve shqiptarë duhet të ketë të njëjtën peshë si interesi i fëmijëve maqedonas.
Nuk mund të ketë një matematikë për maqedonasit dhe një tjetër për shqiptarët. Dhe pikërisht këtu situata bëhet edhe më shqetësuese.
Në “Penko”, një paralele shqiptare mbyllet për shkak të numrit të nxënësve. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të publikuara, në të njëjtën komunë vazhdojnë të funksionojnë paralele maqedonase me numër shumë më të vogël nxënësish.
Ndërkohë, rreth 40 fëmijë nga Çairi, sipas raportimeve, mbeten jashtë shkollës pranë së cilës jetojnë, ndërsa ngrihet edhe pretendimi se në paralelet në gjuhën maqedonase janë pranuar fëmijë nga komuna të tjera.
Nëse këto të dhëna konfirmohen, atëherë nuk kemi më një çështje administrative. Kemi një problem serioz të barazisë. Dhe barazia nuk matet me deklarata. Matet me mënyrën se si zbatohen rregullat.
Nuk mjafton që ministrja e Arsimit të thotë se “në asnjë moment nuk kemi bërë diskriminim sa i përket përdorimit të gjuhëve”. Është mirë që Ministria premton verifikim. Por pikërisht verifikimi duhet të japë përgjigje të qarta:
Pse një paralele me pak nxënës mund të mbijetojë kur mësimi zhvillohet në maqedonisht, ndërsa një paralele me shumë më tepër nxënës vihet në pikëpyetje kur mësimi zhvillohet në shqip?
Pse rregullat e rajonizimit duket se bëhen të pakapërcyeshme kur bëhet fjalë për fëmijë shqiptarë nga Çairi, ndërsa lindin dyshime nëse i njëjti standard zbatohet edhe për fëmijët që ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase?
Dhe së fundmi: Pse një fëmijë shqiptar duhet të paguajë çmimin e një rregulli që, nëse është i drejtë, duhet të vlejë njësoj për çdo fëmijë?
Kjo është pyetja që kërkon përgjigje.
Kur një sistem fillon t’i ndajë njerëzit sipas gjuhës, kur një kriter zbatohet ndryshe për një komunitet dhe ndryshe për tjetrin, atëherë krijohet diçka shumë më e rrezikshme se një konflikt administrativ.
Krijohet segregacioni në praktikë.
Jo domosdoshmërisht ai segregacioni klasik që bota e njeh nga kapitujt më të errët të historisë, por një logjikë e rrezikshme e ndarjes: këtyre u lejohet, atyre jo; këtyre u tolerohet, atyre u numërohet çdo nxënës; këtyre u mbrohet paralelet, të tjerëve u mbyllen.
Dhe kjo është ajo që shqiptarët nuk duhet ta pranojnë si normalitet, sepse gjuha shqipe nuk është luks.
Nuk është privilegj. Nuk është “kërkesë e komunitetit”. Është e drejtë.
Dhe kur bëhet fjalë për fëmijët, shteti nuk ka të drejtë të bëjë eksperimente me të drejtat e tyre.
Nuk mund të thuhet: për ju nuk ka kapacitet, ndërsa disa metra më tutje kapaciteti ekziston për klasa me një numër shumë më të vogël nxënësish.
Nuk mund të thuhet: rregullat janë rregulla, nëse ato nuk zbatohen në mënyrë të barabartë.
Dhe nuk mund të kërkohet nga shqiptarët të besojnë te barazia vetëm atëherë kur shifrat nuk i shohin. Shifrat tashmë janë në tavolinë.
Prandaj, Ministria e Arsimit dhe Komuna e Butelit të Shkupit, nuk duhet vetëm “t’i kontrollojnë edhe një herë të dhënat”. Duhet të japin përgjigje publike, konkrete dhe të dokumentuara, sepse një shtet serioz nuk ka frikë nga transparenca.
Një shtet i drejtë nuk ka dy standarde.
Dhe një sistem arsimor që pretendon të jetë për të gjithë fëmijët nuk mund ta masë barazinë me gjuhë.
Nëse 6 nxënës janë të mjaftueshëm për një klasë, ndërsa 30 nuk janë të mjaftueshëm për një tjetër vetëm sepse flasin shqip, atëherë problemi nuk është numri i nxënësve. Problemi është standardi.
Dhe kur standardi ndryshon sipas gjuhës, demokracia fillon të ketë një problem shumë serioz.
Diskriminimi nuk fillon gjithmonë me një urdhër. Ndonjëherë fillon me një rregull që zbatohet ndryshe.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.