A do të ketë përgjegjësi për anëtarët e Këshillit Gjyqësor?
Pasi që raporti për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2023 nuk kaloi në Kuvend, mbetet e hapur pyetja – a do të kërkojnë deputetët shkarkimin e anëtarëve të Këshillit që i kanë zgjedhur? Më shumë deputetë në Kuvend ka shumica, ndaj pyetëm në Qeveri nëse përgatitet skenar i tillë në Këshill, por ata gishtin […]
Pasi që raporti për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2023 nuk kaloi në Kuvend, mbetet e hapur pyetja – a do të kërkojnë deputetët shkarkimin e anëtarëve të Këshillit që i kanë zgjedhur? Më shumë deputetë në Kuvend ka shumica, ndaj pyetëm në Qeveri nëse përgatitet skenar i tillë në Këshill, por ata gishtin e drejtuan te të gjithë deputetët, duke u përgjigjur se do të vazhdojnë me reformat në sistemin gjyqësor.
“Si Qeveri i theksojmë përkushtimet për zbatimin e reformave kyçe në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, me qëllim që ta afrojmë vendin tonë me standardet evropiane, jemi të fokusuar me përkushtim në këto çështje të rëndësishme”, thonë nga Qeveria.
Meqenëse raporti mbetet i bllokuar në Kuvend dhe ka marrë shumë kritika negative për punën e këshillit, ekziston mundësia që anëtarët e zgjedhur në Kuvend të tërhiqen, por kjo nuk ndodh domosdoshmërish, sqarojnë nga Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë.
“Miratimi i raportit nga Kuvendi është mekanizëm për kontroll dhe sipas ligjit është bazë, pra paraqet mundësi për fillimin e procedurës për përgjegjësinë e anëtarëve të këshillit nga organet që i zgjedhin, pra ky nuk është detyrim ligjor, por mundësi ligjore, kështu që ka mbetur të shihet se në cilin drejtim do të lëvizin gjërat”, tha Darko Avramovski, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
Gjithsej pesë anëtarë të këshillit mund ta humbin pozitën e tyre edhe atë Selim Ademi, Pavlina Cërvenkovska, Vesna Dameva, Milazim Mustafa dhe Tanja Çaçarova Ilievska. Përderisa mbetet të shihet nëse këshilli do të përjetojë goditje tjetër pas dorëheqjes së parevokueshme të kryetares Vesna Dameva, pasardhësi i së cilës ende nuk është zgjedhur, para tri ditësh këshilli zyrtarisht pranoi dy anëtarë të ri- gjykatësit Ariton Alla dhe Danka Ristova. Ata i zëvendësojnë Loreta Georgievën dhe Mirsad Surroin, mandati i të cilëve skadoi këtë muaj. Këshilli duhet të zgjedhë kryetar, megjithëse nuk tregojnë se kur do të caktohet kjo seancë. Ndërkohë kanë përfunduar konsultimet me të gjithë ekspertët për hartimin e ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, për të cilin gjykatësit shfaqën shpresën se do të ritet transparenca dhe do të ulen ndikimet politike në këshill. Ndryshimet e reja do të rrisin kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit dhe për herë të parë anëtarët do të mund të zgjidhen mes avokatëve dhe profesorëve. Ligji i ri për këshillin gjyqësor duhet të miratohet në qershor të vitit të ardhshëm.