A do t’i arrijë Maqedonia reformat deri në qershor 2026?

Maqedonia e Veriut po përballet me një realitet edhe më shqetësues sesa ai i përshkruar më herët. Në vend që të shënojë progres, tabela e fundit e rezultateve të Programit për Reformë dhe Rritje në Ballkanin Perëndimor tregon se deri tani vendi nuk ka përmbushur asnjë nga hapat e kërkuar të agjendës reformuese. Shifra “0” […]

Prill 18, 2026 - 13:00
A do t’i arrijë Maqedonia reformat deri në qershor 2026?

Maqedonia e Veriut po përballet me një realitet edhe më shqetësues sesa ai i përshkruar më herët. Në vend që të shënojë progres, tabela e fundit e rezultateve të Programit për Reformë dhe Rritje në Ballkanin Perëndimor tregon se deri tani vendi nuk ka përmbushur asnjë nga hapat e kërkuar të agjendës reformuese. Shifra “0” në seksionin e hapave të realizuar është një sinjal alarmi për institucionet dhe për vetë procesin eurointegrues. Sipas të dhënave, deri në dhjetor 2025, Maqedonia e Veriut kishte për detyrë të realizojë 29 reforma kyçe. Ndërkohë, për gjysmën e parë të vitit 2026, konkretisht deri në qershor, janë paraparë edhe 21 hapa të tjerë. Megjithatë, mungesa totale e progresit deri tani e vendos vendin në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë, ku afatet po afrohen, ndërsa rezultatet mungojnë plotësisht, raporton Portalb.mk.

Kjo situatë e thellon krizën e besueshmërisë ndaj institucioneve. Në vend që të flitet për ritëm të përshpejtuar reformash, realiteti aktual tregon një ngecje të plotë, që rrezikon jo vetëm hapjen e kapitujve të negociatave, por edhe përfitimin e mjeteve financiare nga Bashkimi Evropian.

Tabela e rezultateve e përgatitur dhe e përditësuar nga Komisioni Evropian tregon progresin në zbatimin e Instrumentit për Reformë dhe Rritje, duke përfshirë hapat e përmbushur dhe shumat e disbursuara 

Nga gjithsej 76.37 milionë euro të liruara deri më tani, një pjesë e konsiderueshme është dhënë si para-financim, ndërsa disbursimet e ardhshme varen drejtpërdrejt nga përmbushja e reformave. Kjo do të thotë se nëse vendi vazhdon me këtë ritëm, rrezikon të humbasë qindra milionë euro të destinuara për zhvillim ekonomik, reforma institucionale dhe përmirësim të standardit të jetesës.

Në këtë kontekst, presioni mbi qeverinë dhe institucionet përgjegjëse është më i madh se kurrë. Reformat në drejtësi, administratë publike, luftën kundër korrupsionit dhe digjitalizimin e shërbimeve nuk janë më vetëm prioritete politike, por kushte urgjente për të shmangur izolimin dhe stagnimin.

Nëse më parë sfida ishte përmbushja e 29 reformave brenda një afati të ngushtë kohor, tani sfida është shumë më e madhe.  Çdo vonesë e mëtejshme do ta bëjë pothuajse të pamundur arritjen e objektivave deri në qershor 2026.

Një nga kërkesat më të rëndësishme është miratimi i Ligjit për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore, i cili do të sigurojë një administratë më të qartë, më profesionale dhe më efikase. Kjo plotësohet nga kërkesat për të rritur motivimin dhe mbajtjen e stafit, përmirësimin e kushteve të punës, promovimin sipas meritës dhe transparencën në largimet nga puna.

BE kërkon gjithashtu që të paktën 90% e pozitave drejtuese të plotësohen përmes konkurseve të hapura dhe transparente, duke e reduktuar ndikimin politik në emërimet publike.

Për parandalimin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, kërkohet miratimi i Planit të Veprimit për Parandalimin e Korrupsionit në Gjykata për periudhën 2026–2029. Po ashtu, në nivel të administratës shtetërore, buxhetet dhe institucionet kryesore duhet të zhvillojnë dokumente të menaxhimit të rrezikut për korrupsion.

Parlamenti Evropian, Bruksel. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Parlamenti Evropian, Bruksel. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Një reformë shumë e kërkuar është bashkimi i Maqedonisë së Veriut me listën e vendeve të besuara të BE-së për nënshkrimet elektronike, që i hap rrugë njohjes së ndërsjellë të identitetit elektronik dhe përdorimit të nënshkrimeve të avancuara dhe të kualifikuara. Kjo reformë është kyçe për modernizimin e ekonomisë dhe lehtëson shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Po ashtu, vendi duhet të përmbyllë hartimin dhe thjeshtimin e 100 procedurave administrative, duke i bërë ato më të shpejta, më të lira dhe më të qarta për qytetarët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në fushën e ekonomisë, Maqedonia e Veriut duhet të adoptojë Strategjinë e Pronësisë së Shtetit dhe Ligjin për Ndërmarrjet Shtetërore, të cilat do të rregullojnë më mirë menaxhimin e kompanive publike.

Në energji, kërkohet vazhdimi i integrimit të tregut të energjisë elektrike me BE-në dhe instalimi i matësve individualë të energjisë në ndërtesat e reja. Po ashtu, duhet të zbatohen masa për mbrojtjen e konsumatorëve vulnerabël dhe për monitorimin e saktë të varfërisë energjetike.

Këto reforma nuk janë vetëm kushte të BE-së, por domosdoshmëri për funksionimin demokratik dhe ekonomik të Maqedonisë së Veriut. Zbatimi i tyre i afërt, i plotë dhe i pakushtëzuar do të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm në hapjen e kapitujve të negociatave, por edhe në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve dhe forcimin e institucioneve të shtetit.

Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë është shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.