Afrim Gashi: Listat e hapura do ta rrisin demokracinë dhe përgjegjësinë e deputetëve
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, vlerëson se vendosja e modelit me lista të hapura do të kontribuonte për më shumë demokraci dhe për forcimin e rolit të deputetëve ndaj qytetarëve. Në një debat kushtuar rolit të Kuvendit në procesin e integrimeve evropiane, i organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane, Gashi theksoi […]
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, vlerëson se vendosja e modelit me lista të hapura do të kontribuonte për më shumë demokraci dhe për forcimin e rolit të deputetëve ndaj qytetarëve.
Në një debat kushtuar rolit të Kuvendit në procesin e integrimeve evropiane, i organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane, Gashi theksoi se po rritet gjithnjë e më shumë nevoja për ndryshim të modelit zgjedhor.
Sipas tij, me lista të hapura qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin drejtpërdrejt deputetët, e jo vetëm partitë politike, gjë që do të rrisë përgjegjësinë e përfaqësuesve të zgjedhur.
Ai theksoi se deputetët që hyjnë në Kuvend nga pozita më të ulëta në lista nuk duhet të konsiderohen thjesht si rezultat i vendimit partiak, por si përfaqësues me mbështetje të drejtpërdrejtë nga qytetarët.
“Nevojitet guxim për të bërë hapin drejt listave të hapura. Në këtë mënyrë do të rritet dinjiteti dhe përgjegjësia e deputetëve”, porositi Gashi, duke shtuar se tashmë ekziston një grup pune që po shqyrton ndryshime të mundshme në modelin zgjedhor.
Ai gjithashtu theksoi se nuk duhet të përgjithësohet puna e të gjithë deputetëve, duke vënë në dukje se në Kuvend ka edhe përfaqësues cilësorë dhe të përkushtuar.
Në debat u theksua gjithashtu se modeli aktual zgjedhor mund ta kufizojë pavarësinë e deputetëve, pasi ata shpesh janë të lidhur me vendimet partiake dhe renditjen në lista, gjë që ndikon në veprimin e tyre politik dhe në mundësinë për vendimmarrje të pavarur.(INA)