Ahmeti për 7 Marsin: Misionarët e arsimit mbajtën të ndezur flakadanin e dijes dhe kulturës tonë
Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, urim ka dërguar edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Më poshtë po e përcjellim urimin e plotë: Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit,dëshiroj t’u uroj nga zemra të gjithë mësuesve dhe mësueseve tona për kontributin e madh që ata japin në formimin dhe edukimin e […]

Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, urim ka dërguar edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti.
Më poshtë po e përcjellim urimin e plotë:
Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit,dëshiroj t’u uroj nga zemra të gjithë mësuesve dhe mësueseve tona për kontributin e madh që ata japin në formimin dhe edukimin e brezave të rinj. Ky është një moment i veçantë për të nderuar ata që me përkushtim dhe sakrificë mbajnë peshën e arsimit dhe dijes, duke kontribuar në forcimin e identitetit tonë kombëtar.
Sot, dhe çdo ditë, kujtojmë misionarët e arsimit në gjuhën tonë amtare, ata që mbajtën të ndezur flakadanin e dijes, dhe me këtë veprim ruajtën kulturën dhe traditat tona nga rreziku i asimilimit. Ata janë ata që e bënë të mundur që gjuha jonë e bukur të vazhdojë të jetojë dhe të zhvillohet, duke formuar shtyllat e arsimit dhe të identitetit tonë kombëtar.
Duke shënuar përvjetorin e hapjes së Mësonjëtores së parë në Korçë, le të reflektojmë mbi rëndësinë dhe vlerën e shkollave shqipe, të cilat janë përhapur gjithandej vendit dhe kanë kontribuar në përhapjen e dijes dhe ruajtjen e gjuhës tonë. Po ashtu, të kujtojmë me krenari të tria universitetet tona kombëtare, të cilat sot janë fole të padiskutueshme të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë sonë.
Në këtë ditë, le të bashkohemi për të nderuar çdo mësues dhe mësuese, dhe të falënderojmë ata për përkushtimin e tyre të palodhur. Gëzuar 7 Marsin! E përjetshme qoftë gjuha jonë e bukur dhe arsimi ynë!