Ambasadori amerikan në NATO, Whitaker: SHBA mbetet partneri më i fuqishëm i Kosovës
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker në përmbyllje të vizitës dyditore në Kosovë dhe pas takimit me KFOR theksoi se SHBA-të janë aleati më i fuqishëm i Kosovës. “Për më shumë se 26 vjet, SHBA-të e kanë mbështetur KFOR-in si një shtyllë stabiliteti. Pata një takim të rëndësishëm me Gjeneral Major Ozkan Ulutas, Komandant i […]
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker në përmbyllje të vizitës dyditore në Kosovë dhe pas takimit me KFOR theksoi se SHBA-të janë aleati më i fuqishëm i Kosovës.
“Për më shumë se 26 vjet, SHBA-të e kanë mbështetur KFOR-in si një shtyllë stabiliteti. Pata një takim të rëndësishëm me Gjeneral Major Ozkan Ulutas, Komandant i KFOR-it, për të diskutuar misionin tonë në Ballkanin Perëndimor. Ne jemi partneri më i fortë i Kosovës, duke rritur aftësinë e vendit për të mbrojtur veten. Ndërsa u bëjmë thirrje aleatëve të marrin përgjegjësi më të mëdha për sigurinë evropiane, KFOR-i mbetet kritik për një rajon të sigurt dhe rezilient”, ka shkruar ambasadori amerikan.
Ndërkohë, Ambasada amerikane në Prishtinë përmes një porosie në rrjetet sociale ka shkruar përshtypjet e kësaj vizite.
“Ambasada e SHBA-së ishte krenare që lehtësoi vizitën e Ambasadorit Whitaker në Kosovë. Gjatë udhëtimit të tij, Ambasadori Whitaker u takua me udhëheqësit e Kosovës, personelin ushtarak amerikan dhe partnerët që punojnë për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin e vendit.Së bashku, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova vazhdojnë të përparojnë interesat e përbashkëta të sigurisë dhe të forcojnë stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Zyrtari i lartë amerikan në NATO në fillim të vizitës ditën e martë u takua me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu dhe kryeministrin Albin Kurti, ku u theksua mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rëndësia e partneritetit strategjik.
Kryeministri Kurti nënvizoi rolin kyç të NATO dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës, ndërsa paralajmëroi për rreziqet nga Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina.(INA)