ANALIZË: Gati dhjetë mijë vende të lira pune në RMV, hapet “rruga” për punësimin e të huajve dhe të punëtorëve sezonalë!  

Dy zgjidhje ligjore janë para deputetëve – legalizimi i punës për të huajt me dhe pa kuota dhe punësimi i punëtorëve sezonalë. Qëllimi është të thjeshtësohen procedurat e punësimit për këtë kategori personash për të zbutur mungesën e fuqisë punëtore. Numri maksimal i punësimeve të të huajve mund të arrijë deri në 35.000, shkruan analiza […]

Mars 24, 2025 - 11:00
 0  5
ANALIZË: Gati dhjetë mijë vende të lira pune në RMV, hapet “rruga” për punësimin e të huajve dhe të punëtorëve sezonalë!  
kadastër, sportel, shërbime, administratë, administratë shtetërore

Dy zgjidhje ligjore janë para deputetëve – legalizimi i punës për të huajt me dhe pa kuota dhe punësimi i punëtorëve sezonalë. Qëllimi është të thjeshtësohen procedurat e punësimit për këtë kategori personash për të zbutur mungesën e fuqisë punëtore. Numri maksimal i punësimeve të të huajve mund të arrijë deri në 35.000, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Profilet, kushtet, kriteret për marrjen në punësimin e të huajve dhe punëtorëve sezonalë…

Rreth 1.000 punëtorë higjienik, më shumë se 500 shitës, po aq kamerierë dhe punëtorë të përgjithshëm – këto janë profesionet që kërkohen më shumë në tregun vendas të punës. Ka qindra vende të lira pune për shofer kamioni, banakier dhe kuzhinierë. Në muajin mars, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Punësimit, në mbarë vendin kishte rreth 10.000 vende të lira pune, që është një nga shifrat më të mëdha të regjistruara. Me shpjegimin se po hapet hapësirë për të amortizuar deficitin e fuqisë punëtore në vend, qeveria ka bërë ndryshime në zgjidhjet ligjore për të huajt dhe për punësimin e punonjësve sezonalë, kurse synimi është lehtësimi i procedurave për punësim, por ndryshohen edhe kriteret.

Me ndryshimet në Ligjin për Punësimin e të Huajve, së pari hapet hapësirë për punësimin e shtetasve të huaj që punojnë në projekte shtetërore dhe ky lloj punësimi i përkohshëm nuk do të jetë pjesë e kuotave vjetore.

“Në kuotë nuk do të përfshihen të huajt të cilët përkohësisht janë dërguar nga një person juridik i huaj në një filialë të regjistruar ose njësi tjetër organizative në Republikën e Maqedonisë së Veriut për kryerjen e detyrave menaxheriale ose speciale dhe të cilët janë të përfshirë në realizimin e projekteve zhvillimore të mbështetura nga Qeveria”, thuhet në ndryshimet e propozuara ligjore.

Krahas punësimit të përkohshëm të të huajve që nuk do të përfshihen me kuotë, përcaktohet edhe punësimi i të huajve në kuadër të kuotës.

“Kuota, në nivel vjetor, nuk mund të kalojë 5% të popullsisë së RMV-së që është e punësuar ligjërisht, sipas të dhënave të ESHS-s”, thuhet në ndryshimet e propozuara.

“Portalb”-i ka llogaritur se çfarë do të thotë kjo përqindje kur konvertohet në numër të vendeve të punës. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në fund të vitit 2024 në vend kanë qenë të regjistruar saktësisht 694.506 punonjës, që do të thotë se përmbushja maksimale e kuotës vjetore prej 5% do të nënkuptonte punësim të përkohshëm të rreth 34.725 të huajve.

Në fund të çdo viti ekonomik, Qeveria do të duhet të përcaktojë kuotën vjetore për punësimin e të huajve për vitin pasardhës. Leja e punës do të lëshohet për një periudhë të caktuar kohore deri në një vit ose për një periudhë të pacaktuar kohore. Me ndryshimet e reja ligjore, në procedurat për dhënien e lejeve të punës janë përfshirë edhe MPB-ja dhe Agjencia e Punësimit, por procedurat pritet të lehtësohen në aspekt administrativ.

“Të huajt duhet të kenë leje të përkohshme qëndrimi për punë, të lëshuar nga MPB-ja ose leje pune të lëshuar nga Agjencia e Punësimit dhe qëndrim të rregulluar mbi ndonjë bazë tjetër në RMV”, thuhet në propozim. 

Mungesa e fuqisë punëtore do të tejkalohet edhe me rregulla të reja për punësimin e punëtorëve sezonalë. Po hapet “rruga” për punësime sezonale në hoteleri, bujqësi dhe restorante.

“Angazhimi për punë me procedurë të thjeshtuar do të bëhet me regjistrimin e personit përmes regjistrit për evidentimin për punë në APRMV, ndërsa mbledhja e tatimeve dhe kontributeve do të bëhet përmes përmirësimit të sistemit për mbledhjen e tatimeve dhe kontributeve të DAP-it”, thuhet në Propozim-ligjin për Punësimin e Personave me Procedurë të Rregullt.

Sipas propozim-ligjit, parashikohet punësimi sezonal i punëtorëve në bujqësi, si kultivues tokash, vozitës makinerish bujqësore, vjelës të produkteve bujqësore, banakierë, kuzhinierë, hostesa, kujdestarë për fëmijë e të moshuar dhe punëtorë higjienikë. 

Për herë të parë, do të lejohet punësimi i një të mituri, gjegjësisht i një personi më të ri se 18 vjeç, nëse i plotëson kërkesat e rregulloreve të përgjithshme të marrëdhënieve të punës. Në sezon, përkohësisht, do të mund të punësohen si personat e papunë ashtu edhe ata të punësuar, studentët, përfituesit e pensioneve familjare dhe të pleqërisë, me përjashtim të përfituesve të pensioneve familjare në bazë të paaftësisë për punë dhe jetesës së pavarur, si dhe të huajt që e kanë të rregulluar qëndrimin në përputhje me ligjin. 

Sektori privat ka ngritur tashmë alarmin se po përballet me një mungesë të madhe fuqisë punëtore dhe një nga kërkesat ishte të rritet numri i lejeve të punës për të huajt dhe të thjeshtohen procedurat administrative për punësim. Se a do ta ndryshojnë dhe në çfarë mase do ta ndryshojnë këto dy zgjidhje ligjore pasqyrën e tregut të punës, mbetet për t’u analizuar.