Sot mbahet protestë në Tetovë për tragjeditë: Zero tolerancë ndaj korrupsionit në Koçan, spitalin modular, Besa Trans dhe Llaskarcë (Video)
Sot (e hënë, 24 mars) me fillim nga ora 12:30 në sheshin “Iliria” në Tetovë do të mbahet protestë për tragjedinë në Koçan, spitalin modular, Besa Transin dhe Llaskarcën, raporton Portalb.mk. Protesta nga sheshi do të vazhdojë drejt Gjykatës Themelore të Tetovës. Iniciativa Zero thotë se kjo protestë mbahet kundër korrupsionit që vret. “Takohemi të […]


Sot (e hënë, 24 mars) me fillim nga ora 12:30 në sheshin “Iliria” në Tetovë do të mbahet protestë për tragjedinë në Koçan, spitalin modular, Besa Transin dhe Llaskarcën, raporton Portalb.mk.
Protesta nga sheshi do të vazhdojë drejt Gjykatës Themelore të Tetovës.
Iniciativa Zero thotë se kjo protestë mbahet kundër korrupsionit që vret.
“Takohemi të gjithë së bashku sepse e kemi obligim qytetar! E kemi obligim: ndaj 14 viktimave të Spitalit Modular në Tetovë, ndaj 45 viktimave të Besa Transit, ndaj 16 viktimave të Durmo Tursit, ndaj 59 të rinjve të vrarë në Koçan”, informoi iniciativa.
Ata thonë se çdo kush mund të ishte në mesin e viktimave të këtyre tragjedive, andaj kërkojnë drejtësi dhe llogari.
“Dil në protestë! Bashkohu! Bëhu zëri që nuk hesht më, sepse deri sa dikush po mbush xhepat, ne duhet t’i mbushim rrugët. Për drejtësinë, prej n’ZERO”, thonë nga iniciativa.
Në ndërkohë sot do të mbahen edhe dy tubime në Shkup, njëra nga Kuvendi i Pavarur i Studentëve të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” dhe tjetra nga Iniciativa “Kush e ka radhën?”.
Deri më tani janë mbajtur disa protesta paqësore për tragjedinë e Koçanit edhe atë në: Shkup, Kumanovë, Gostivar, Strugë dhe Koçan.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
- LEXO: Nga ish ministri e deri te shitësi i biletave: Këto janë 34 të dyshuarit për zjarrin në Koçan
- LEXO: Toshkovski: Kemi ngritur kallëzime penale kundër 34 personave fizikë dhe tre juridikë
- LEXO: Prokuroria me detaje për rastin Koçani: Në mesin e të dyshuarve edhe Kreshnik Bekteshi dhe një pjesëtar i “DNK”, paraburgim për 24 persona