Andovski: Edhe dy të lënduar nga zjarri në Koçan janë në gjendje relativisht të rëndë
Dy pacientë të lënduar nga zjarri në Koçan, të cilët po trajtohen jashtë vendit, janë në gjendje relativisht të rëndë shëndetësore, thotë zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski, transmeton Portalb.mk. Ai thotë se 45 të lënduar aktualisht janë duke u trajtuar jashtë vendit. Sot, siç tha Andovski, një pacient nga Selaniku pritet të kthehet në vend […]


Dy pacientë të lënduar nga zjarri në Koçan, të cilët po trajtohen jashtë vendit, janë në gjendje relativisht të rëndë shëndetësore, thotë zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski, transmeton Portalb.mk.
Ai thotë se 45 të lënduar aktualisht janë duke u trajtuar jashtë vendit.
Sot, siç tha Andovski, një pacient nga Selaniku pritet të kthehet në vend dhe të vazhdojë trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku është shtruar edhe një pacient tjetër.
Nesër pritet të kthehet një pacient nga Nishi i cili do të shtrohet në klinikën kirurgjikale “Shën Naum Ohri”.
Andovski tha se në këtë spital po trajtohen edhe dy pacientë të tjerë, të cilët në fundjavë do të lëshohen në shtëpi dhe më pas do të kthehen.
Në Shkup, Andovski tha se edhe dy persona të tjerë po trajtohen në një spital privat.
Ministria e Shëndetësisë sot ka bërë të ditur se 24-vjeçari Stojançe Stefanov është viktima e 62-të nga zjarri i Koçanit, i cili ka ndërruar jetë në Akademinë Mjekësore Ushtarake (MMA) në Beograd.
Pacienti ishte në gjendje kritike që nga fillimi dhe më 16 mars ishte dërguar në Beograd për trajtim.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.