Jotova: Shkupi përpiqet që kërkesat tona t’i paraqesë si teka dhe t’i vendosë në bllokadë dypalëshe

Nënpresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, sot do të ketë takimin e parë me komisioneren evropiane për zgjerim, Marta Kos, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Sofje. Tema kryesore për të cilën do të diskutojnë, sipas deklaratës së Jotovës, por edhe në hapjen e së cilës do të marrin pjesë – Forumi “Bashkimi Evropian […]

Prill 17, 2025 - 17:00
 0  7
Jotova: Shkupi përpiqet që kërkesat tona t’i paraqesë si teka dhe t’i vendosë në bllokadë dypalëshe
Iliana Jotova. Foto nga profili i saj në Facebook

Nënpresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, sot do të ketë takimin e parë me komisioneren evropiane për zgjerim, Marta Kos, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Sofje. Tema kryesore për të cilën do të diskutojnë, sipas deklaratës së Jotovës, por edhe në hapjen e së cilës do të marrin pjesë – Forumi “Bashkimi Evropian takohet me Ballkanin”, do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

“Ky do të jetë takimi im i parë me komisioneren Kos. Ne duam të dëgjojmë prej saj se cili është vizioni për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Vëzhgimi im është se kjo temë është braktisur plotësisht muajt e fundit”, tha zëvendëspresidentja bullgare para fillimit të forumit, raporton BNT.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Jotova konfirmoi se në takim do të shpallë edhe qëndrimin e Bullgarisë në lidhje me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Jotovës, debati rreth kësaj çështjeje po deformohet si në Bullgari ashtu edhe në skenën evropiane.

E pyetur se si po deformohet ajo thotë se ka përpjekje nga Shkupi që kërkesat e Bullgarisë të vendosen në bllokadë dypalëshe.

“Për mendimin tim, ky debat po deformohet si këtu në Bullgari ashtu edhe në skenën evropiane. Ka një përpjekje nga kolegët tanë nga RMV që kërkesat normale të Bullgarisë – respektimi i kritereve evropiane – t’i paraqesin si teke nga ana jonë, dhe po ashtu përpiqen t’i vendosin në një bllokadë dypalëshe, gjë që nuk është e vërtetë”, thotë nënpresidentja e Bullgarisë.

Komisionerja evropiane Marta Kos, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Bullgari, ka pasur një takim dhe konferencë për media me kryeministrin e vendit, Rosen Zheljazkov, në të cilën është konfirmuar përkushtimi për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Pozicioni bullgar është i qartë dhe konsistent. Ne mbështesim rrugën evropiane të çdo vendi në Ballkanin Perëndimor, të udhëhequr nga parimet e një qasjeje individuale dhe progresi i arritur. Sot, kur Evropa po përballet me sfida të reja, konflikte ushtarake, kërcënime hibride, presion migrator dhe pasiguri energjitike, integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një mundësi, por edhe një përgjegjësi e veçantë për qeverinë bullgare”, raporton BNT.

Komisionerja Kos tha se zgjerimi i Unionit është një synim strategjik i Komisionit Evropian dhe se i është mirënjohëse Bullgarisë për mbështetjen e vazhdueshme të këtij vizioni, i cili përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukrainën dhe Moldavinë, pse jo edhe Islandën, shtoi ajo.

“Ne duhet të kapërcejmë lodhjen në këtë temë, prandaj Komisioni po përpiqet të lehtësojë dhe përshpejtojë negociatat e anëtarësimit”, tha komisionerja evropiane.

Në pritje të vizitës në Sofje, komisioneri evropiane për zgjerim deklaroi në një intervistë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR) se nëse Kushtetuta do të ndryshohej tani, askush nuk mund t’i jepte garanci Maqedonisë së Veriut se nuk do të kishte më pengesa në rrugën e saj evropiane.

Komisionerja evropiane për zgjerim thotë se është e kuptueshme që vendi kërkon garanci, por nuk mund t’i ketë.

“Ne e kuptojmë se kjo nuk është një çështje e lehtë. Ndryshimi i Kushtetutës. Ne e kuptojmë dhe është shumë njerëzore dhe e kuptueshme që vendi juaj dëshiron të ketë garanci pas gjithçkaje që ka kaluar. Nuk mund të ketë garanci, por ajo që pres nga të gjitha vendet anëtare kur ka çështje dypalëshe është që bisedimet të zhvillohen në mirëbesim dhe me një vizion për të arritur një kompromis”, thotë Kos.

Kujtojmë se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.