Aparat kundër zjarrit para Prokurorisë dhe Gjykatës në Tetovë, Iniciativa Zero: Le të mbrohen nga flakët, të hënën ka protestë
Përmes vendosjes së një aparati kundër zjarrit para Prokurorisë dhe Gjykatës së Tetovës, sot Iniciativa Zero paralajmëroi protestë për ditën e hënë në Tetovë ku do të kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Koçan dhe zjarrin në spitalin modular, shkruan Portalb.mk. Iniciativa Zero sot i dhuroi Prokurorisë dhe Gjykatës së Tetovës një aparat kundër zjarrit, siç […]


Përmes vendosjes së një aparati kundër zjarrit para Prokurorisë dhe Gjykatës së Tetovës, sot Iniciativa Zero paralajmëroi protestë për ditën e hënë në Tetovë ku do të kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Koçan dhe zjarrin në spitalin modular, shkruan Portalb.mk.
Iniciativa Zero sot i dhuroi Prokurorisë dhe Gjykatës së Tetovës një aparat kundër zjarrit, siç thonë sepse në vendin tonë shumë objekte janë të djegshme.
“Ua sjellim këtë aparat për mbrojtje kundër zjarrit, jo vetëm për sigurinë e tyre, por në të njëjtën kohë për të simbolizuar nevojën urgjente për drejtësi në vendin tonë”, tha Blendi Hodai nga Iniciativa.
Të rinjtë e kësaj iniciative iu drejtuan gjykatësve dhe prokurorëve në Tetovë dhe më gjerë.
“Ju keni një detyrë të rëndësishme të zbardhni të vërtetën, të nxirrni para drejtësisë dhe të vendosni prapa grilave të gjithë fajtorët e vërtetë për tragjedinë në Koçan ku u vranë 59 të rinj, për zjarrin në spitalin modular ku u vranë 14 pacientë, për aksidentin e Besa Trans në Bullgari ku u vranë 45 qytetarë dhe Durmo Turs në Llaskarcë ku u vranë 16 persona, dhe për shumë tragjedi të tjera që kanë kaluar pa ndëshkim”, thanë të rinjtë.
Sipas tyre, pandëshkushmëria sjell papërgjegjshmëri institucionale dhe në të njëjtën kohë edhe shumë tragjedi të tjera.
“Detyra juaj është të nxirrni para drejtësisë gjykatës dhe prokurorë të cilët e kanë penguar drejtësinë në rastet e përmendura dhe në shumë raste tjera”, tha Blendi Hodai.
Ata paralajmëruan protestë në Tetovë ditën e hënë në ora 12:30 me fillim nga sheshi “Iliria” deri te Gjykata e Tetovës, do të kërkohet drejtësi për zjarrin në Koçan dhe në spitalin modular.
Të hënën ora 12:30 do të ketë protestë në Tetovë duke filluar nga sheshi Iliria e cila do të vazhdojë deri te Gjykata e Tetovës.
Iniciativa Zero është e themeluar nga studentë, nxënës dhe aktivistë qytetarë nga Tetova.
Nisma Zero sipas tyre ka nisur për shkak të siç thonë “sistemi ka dështuar dhe ka nevojë për një rifillim të plotë”.
“Zero harresë – tragjeditë nuk duhet të harrohen, zero tolerancë ndaj korrupsionit – llogaridhënia është e panegociueshme, zero heshtje – drejtësia kërkon zë dhe veprim, zero frikë – askush nuk është mbi ligjin”, thonë nga iniciativa.
Solidarizim për viktimat që u dogjën në klubin e natës në Koçan përmes protestave paqësore kanë shprehur edhe qytetarët e Shkupit, Kumanovës, Gostivarit, Strugës dhe Koçanit.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Për këtë rast Prokuroria Publike zhvillon procedurë hetimore ndaj 27 personave fizikë dhe tre personave juridikë. Deri tani ka disa të arrestuar, mes të cilëve edhe ish funksionarë të lartë shtetëror.
Ndërkaq, në rastin e zjarrit në spitalit modular ku vdiqën 14 persona, askush deri më sot nuk është thirrur në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit. Procesi i rigjykimit vazhdon, por të akuzuarit akuzohen për vepra të tjera penale.