“Arbitrim tendencioz”, replika ndërmjet KF Shkëndijës dhe Federatës në lidhje me ndeshjen e fundit

Në ndeshjen e fundjavës së fundit ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës, ekipi tetovar shënoi fitore me rezultat 1-2. Por, KF Shkëndija edhe pse fitoi, referimin e ndeshjes e vlerësoi “tendencioz”, raportoi Portalb.mk. “KF Shkëndija reagon ashpër ndaj arbitrimit tendencioz në ndeshjen e xhiros së 19-të të Ligës së Parë të Maqedonisë ndaj Vardarit në Shkup. Vendimet […]

shkurt 19, 2025 - 02:00
 0  4
“Arbitrim tendencioz”, replika ndërmjet KF Shkëndijës dhe Federatës në lidhje me ndeshjen e fundit
Ballistët, tifozët e Shkëndijës. Foto nga faqja në Facebook: Ballistet Tetove 1992 (Official)

Në ndeshjen e fundjavës së fundit ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës, ekipi tetovar shënoi fitore me rezultat 1-2. Por, KF Shkëndija edhe pse fitoi, referimin e ndeshjes e vlerësoi “tendencioz”, raportoi Portalb.mk.

“KF Shkëndija reagon ashpër ndaj arbitrimit tendencioz në ndeshjen e xhiros së 19-të të Ligës së Parë të Maqedonisë ndaj Vardarit në Shkup. Vendimet e treshes së gjyqtarëve, me në krye Igor Stojçevskin, ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e lojës (me referim korrekt do e kishim mbyllur fatin e ndeshjes shumë herët), duke favorizuar ekipin vendas me kritere të dyfishta dhe vendime të padrejta”, deklaruan nga KF Shkëndija.

KF Shkëndija vlerësoi se nga fillimi i ndeshjes, gjyqtarët kanë mbajtur një qasje të njëanshme.

“Për këtë arsye, KF Shkëndija ka adresuar një reagim zyrtar në Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe organet kompetente, duke kërkuar trajtim serioz të kësaj çështjeje”, sqaruan nga ekipi tetovar, duke kërkuar nga FFM-ja masa konkrete.

Organizata e Gjyqtarëve në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka reaguar në lidhje me këtë komunikatë të Shkëndijës.

Ata kanë pranuar një gabim të gjyqtarit anësor, por nuk kanë kontestuar vendimet tjera të gjyqtarit.

“Duhet të dini se ka mbaruar koha e “delegimit telefonik” të arbitrave dhe “delegimit me porosi”. Për këtë do të vërtetohen edhe vetë gjatë ndeshjeve të ardhshme”, deklaruan nga Federata, duke shtuar se edhe vetë zbatimi i sistemit VAR në të ardhmen është një shenjë se kjo udhëheqësi është për gjykim të fer dhe korrekt.

Federata akuzoi Shkëndijën se në të kaluarën disa udhëheqës të Shkëndijës kanë pasur “afërsi” me udhëheqësin e kaluar të FFM-së.

Ndryshe, më 2 shkurt Federata e Futbollit të Maqedonisë njoftoi se sistemi VAR në ligën e futbollit të Maqedonisë duhet të fillojë zbatimin prej fillimit të sezonit të ardhshëm 2025/2026, duke sqaruar se sistemi VAR do të jetë në Ligën e Parë, Kupën e Maqedonisë, Kupën e Maqedonisë për femra dhe ndeshjet barazh për Ligën e Parë.

22 dhjetor të vitit 2024, Masar Omeragiqin u zgjodh kryetar i ri i FFM-së, pas dorëheqjes së paraprijësit të tij Muamed Sejdini më 17 nëntor.