Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar lidhur me 60 punësimet në Spitalin e Kumanovës, duke pretenduar se në mesin e të punësuarve nuk ka asnjë shqiptar. Nga kjo parti akuzojnë përfaqësuesit e VLEN-it në Qeveri për heshtje përballë asaj që e cilësojnë si diskriminim në institucionet publike.
Në reagimin e saj, ASH thekson se punësimi i 60 personave pa përfshirjen e asnjë shqiptari ngre pikëpyetje për zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
“60 vende pune, asnjë shqiptar! Ky është rezultati i politikave të VLEN-it dhe i heshtjes së tyre përballë diskriminimit në institucionet publike”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
ASH ka drejtuar kritika edhe ndaj ministrave dhe përfaqësuesve të VLEN-it, duke kërkuar llogaridhënie për mungesën e përfaqësimit shqiptar në këtë institucion shëndetësor.
“Ku janë ministrat e VLEN-it? Ku janë premtimet për përfaqësim të drejtë?”, pyet partia.
Në reagim, ASH akuzon VLEN-in se, sipas saj, i kushton më shumë rëndësi pozitave politike sesa përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike.
“Për karriget e tyre në Qeveri bëjnë zhurmë, ndërsa për vendet e punës së shqiptarëve heshtin!”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, ASH ngre pikëpyetje mbi përmbushjen e premtimeve të VLEN-it për përfaqësimin e shqiptarëve.
“Ky është përfaqësimi që VLEN-i u premtoi shqiptarëve?”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët. Gazeta Flaka
The post ASH: 60 punësime në Spitalin e Kumanovës, asnjë shqiptar appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




