ASH: Uniformat vetëm në maqedonisht, dëshmi e nënshtrimit të VLEN-it ndaj VMRO-së
Vendimi që uniformat e reja të policisë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase ka nxitur reagimin e ashpër të Aleancës për Shqiptarët, e cila e cilëson këtë si një shkelje The post ASH: Uniformat vetëm në maqedonisht, dëshmi e nënshtrimit të VLEN-it ndaj VMRO-së appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Vendimi që uniformat e reja të policisë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase ka nxitur reagimin e ashpër të Aleancës për Shqiptarët, e cila e cilëson këtë si një shkelje flagrante të barazisë gjuhësore.
“Ky vendim është skandaloz dhe përbën shkelje të barazisë gjuhësore të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ky veprim e nxjerr në pah, edhe njëherë, fytyrën e vërtetë të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve,” thuhet në reagimin e ASH-së.
Sipas tyre, ky rast konfirmon edhe një herë varësinë politike të VLEN-it brenda Qeverisë.
“Ky rast dëshmon nënshtrimin e plotë të VLEN-it – një subjekt që ka shitur kauzën shqiptare për interesa personale, për një grusht vota të VMRO-DPMNE-së dhe për të mbrojtur drejtuesit e vet nga dosjet që duhet të trajtohen në gjykata për krime, keqpërdorime dhe korrupsion, veçanërisht në Tetovë dhe Çair,” thekson ASH.
Për këtë parti, uniformat policore nuk janë vetëm veshje teknike, por bartin simbolikë të rëndësishme.
“Uniformat nuk janë thjesht veshje, por simbol i barazisë dhe i respektit. Kur ligji urdhëron dygjuhësi, ndërsa Qeveria imponon njëgjuhësi, kjo është dëshmi se partitë shqiptare në pushtet kanë humbur çdo sovranitet politik dhe janë shndërruar në pasqyrë të interesave të VMRO-së,” thekson më tej reagimi.
ASH kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
“Aleanca për Shqiptarët kërkon tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi diskriminues, zëvendësimin e uniformave me mbishkrime dygjuhëshe sipas ligjit, si dhe përgjegjësi politike nga ata që kanë lejuar një turp të tillë,” bëhet e ditur nga kjo parti.
Në fund, ASH kujton se barazia është arritur me shumë sakrifica dhe se ky veprim është i papranueshëm.
“Shqiptarët kanë sakrifikuar shumë për barazi. Ky poshtërim nuk mund dhe nuk do të pranohet,” përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.
The post ASH: Uniformat vetëm në maqedonisht, dëshmi e nënshtrimit të VLEN-it ndaj VMRO-së appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
