Assesi të ndërpriten ndalesat e ujit për një pjesë të qytetarëve në qendër të Tetovës
Një grup qytetarësh të cilët jetojnë shumë afër qendrës tani e disa muaj ballafaqohen me ndërprerje të ujit jo vetëm gjatë natës por shpesh edhe gjatë ditës. Ata kërkojnë zgjidhje nga autoritetet, kurse nga NPK ‘Sharri’ u zotuan se do të dalin në terren për ta konstatuar problemin dhe ta zgjidhin, raporton Portalb.mk. Edhe pse […]
Një grup qytetarësh të cilët jetojnë shumë afër qendrës tani e disa muaj ballafaqohen me ndërprerje të ujit jo vetëm gjatë natës por shpesh edhe gjatë ditës. Ata kërkojnë zgjidhje nga autoritetet, kurse nga NPK ‘Sharri’ u zotuan se do të dalin në terren për ta konstatuar problemin dhe ta zgjidhin, raporton Portalb.mk.
Edhe pse instalimi i rrjetit të ri të ujësjellësit në rrugën ‘Boris Kidriç’ përfundoi para pak ditëve, ankesat e qytetarëve për ndërprerjen e ujit nuk kanë të ndalur.
Disa prej tyre për Portalb.mk u ankuan se ballafaqohen çdo ditë me ndërprerje të ujit edhe jashtë orarit të restrikcioneve, madje shpesh ndalesa zgjatë deri në mesditë
“Nuk ka ujë çdo ditë, ka disa muaj. Natën asnjëherë por ndodh ndonjë ditë si sot kur edhe deri në 12 të ditës nuk ka. Para dy javësh nuk kishte tre ditë radhazi pa shkëputje. Nuk është problemi te ndërtesa sepse këtë mundohen shpesh ta thonë, të ishte kështu nuk do të kishte vazhdimisht”, theksoi një qytetar që jeton në këtë zonë.
Megjithatë, nga ana tjetër disa qytetarë tjerë që jetojnë disa ndërtesa më poshtë thanë se nuk kanë këtë problem, ujë nuk kanë vetëm gjatë periudhës së restrikcionit gjatë natës disa orë.
Për këtë problem pyetëm drejtorin e NPK ‘Sharri’ Valon Zeqirin, ai tha se ndalesat kanë qenë për shkak të punëve të cilat janë bërë.
“Kohët e fundit ndalesa ka pasur në rrugën Boris Kidriç, prej atyre banorëve ka pasur më shumë ankesa. Është instaluar rrjet i ri i ujësjellësit prandaj ka pasur ndalesa…Ajo që është dashur të bëhet kryesorja, shakta kryesore është ndërtuar tani ka mbetur të vendosen vetëm linjat”, tha Zeqiri.
Ai shtoi se ka probleme me rënien e sasisë së ujit për shkak të kushteve klimatike në dy-tre vitet e fundit.
“Humbja ndodh edhe për shkak se nuk e kemi nën kontroll rrjetin për shkak të kyçjeve që janë bërë në të kaluarën, ka shumë kyçje që janë bërë në formë ilegale”, tha Zeqiri.
Portalb.mk. njoftoi NPK Sharri se për cilën pjesë konkretisht ka ndalesë, ata njoftuan se do të dalin në terren dhe do të shohin problemin që ta zgjidhin.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se janë duke e përgatitur një studim fizibiliteti për zgjidhjen e problemit me humbjet e ujit.
“Në bazë të një studimi paraprak është konstatuar që një pjesë e konsiderueshme e humbjeve është për shkak të moskontrollit se sa harxhojnë qytetarët”, tha Kasami.
Në Tetovë momentalisht ka masë aktive të restrikcionit të ujit nga ora 2:30 deri në pra 5:30 të mëngjesit.
Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.
Sistemi i Leshnicës është sistem i hapur, që domethënë se merr ujërat e hapura dhe i fut ato në sistem, ndërsa ai i burimeve të vjetra është i mbyllur.
Qyteti ka mungesë të ujit, prandaj përmes stacionit të filtrimit të lëshuar në përdorim në vitin 2017 sigurohen sasi shtesë të ujit, kur rezervarët e Malit Sharr nuk sigurojnë ujë mjaftueshëm.
Uji që merret nga Leshnica, nuk është burim i mbyllur por është ujë sipërfaqësor i marrë nga lumi. I njëjti kalon në disa faza, filtrohet përmes stacionit të filtrimit dhe sillet në rrjetin e ujit të qytetit.
Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.