Padi e re ndaj Përparim Bajramit, dyshohet se ka kurdisur tender për blerjen e televizorëve dhe printerëve që nuk gjenden askund
Drejtoria e Policisë Financiare, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër disa personave fizikë dhe juridikë, përfshirë Artan Ajrulin dhe Përparim Bajramin, për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, si dhe për Keqpërdorim të procedurës së prokurimit publik në lidhje me rastin “Lotaria Shtetërore”. Sipas denoncimit, buxheti është dëmtuar për më shumë […]
Drejtoria e Policisë Financiare, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër disa personave fizikë dhe juridikë, përfshirë Artan Ajrulin dhe Përparim Bajramin, për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, si dhe për Keqpërdorim të procedurës së prokurimit publik në lidhje me rastin “Lotaria Shtetërore”. Sipas denoncimit, buxheti është dëmtuar për më shumë se 22 milionë denarë, transmeton Portalb.mk.
Siç thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë Financiare, i denoncuari i parë P.B. (Përparim Bajrami), si drejtor i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore, ka aprovuar pagesën e faturave me përmbajtje të rreme, duke mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm prej 3.102.015 denarë. I pandehuri i dytë A.A (Artan Ajruli)., pronar i RITRON COPY DOOEL, së bashku me P.B., kanë shkelur dispozitat e procedurës për dhënie të kontratës për prokurim publik, duke përfituar dobi pasurore të kundërligjshme prej 12.980.000 denarë. I padituri i tretë S.R. dhe i kallëzuari i katërt M.Z. konfirmuan pranimin e pajisjeve të cilat nuk ishin evidentuar, duke e dëmtuar buxhetin e Lotarisë Shtetërore për 6.772.283 denarë.
M.Z në cilësinë e drejtorit të Departamentit të Teknologjisë Informative në Lotarinë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut SH.A., në periudhën 2023-2024, ka vërtetuar se ka pranuar printera, pajisje kompjuterike dhe komunikuese në vlerë të përgjithshme prej 1.763 720,50 denarë, nga personi juridik i pestë i regjistruar DPTU RITRON KOPI DOOEL Kumanovë, për të cilin ka nënshkruar fletë-dërgesat dhe faturat për të njëjtat, të cilat pas inventarizimit të jashtëzakonshëm nuk janë evidentuar në magazinë dhe as në objektin afarist të SHA për organizimin e lojërave të fatit Lotaria Shtetërore e RMV-së.
Prokuroria Themelore Publike Shkup nga ana tjetlr, pas kallëzimit penal nga Drejtoria e Policisë Financiare, ka iniciuar procedurë kundër dy personave fizik dhe një personi juridik. I pandehuri i parë, në cilësinë e kryesuesit të Bordit të Drejtorëve – Drejtor i Përgjithshëm i Sh.A për organizimin e lojërave të fatit “Lotaria shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, dyshohet për – Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Për të dyshuarin e dytë, pronarin dhe personin juridik, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepër penale të tejzgjatur – Keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat.
“Në periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2024, i dyshuari i parë ka miratuar pagesën e faturave me përmbajtje të rreme për blerjen e televizorëve, printerëve, pajisjeve kompjuterike dhe komunikuese të përdorura për nevojat e Sh.A. “Lotaria Shtetërore”. Faturat janë lëshuar nga pronari dhe menaxheri i dytë i raportuar i personit të dyshuar juridik, ndonëse të dy ishin në dijeni se një pjesë e pajisjeve në fatura nuk ishte dorëzuar në përputhje me dispozitat e kontratave të lidhura të prokurimit publik. Objekt i hetimeve është e gjithë procedura për dhënien e gjashtë prokurimeve publike të pajisjeve të tilla për “Lotarinë Shtetërore”, nga momenti i përcaktimit të specifikimeve teknike deri në realizim. Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit për procedurë paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masave të sigurimit ndaj pronarit të dyshuar të personit juridik – konfiskim të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit dhe të tjera për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrimin për paraqiten herë pas here në gjykatë”, thonë nga Prokuroria.
Në rastin e ‘Lotarisë Shtetërore’ dy të dyshuarit kryesorë janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i ‘Lotarisë Shtetërore’ Përparim Bajrami. Të dy ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Lotarisë me mbi 501 milionë denarë.
Të dyshuar janë edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Metodija Dimovski dhe pesë persona të tjerë.
Kronologji për rastin ‘Lotaria Shtetërore’
Me 26 dhjetor, Policia Financiare dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër disa personave fizikë dhe juridikë, përfshirë Artan Ajrulin dhe Përparim Bajramin. Nga ana tjetër po të njëjtën ditë, Prokuroria nisi hetim.
Më 23 dhjetor ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se asnjë vend fqinj nuk ka dorëzuar konfirmim në MPB-në e RMV-së nëse Grubi ndodhet në territorin e tyre.
Më 21 dhjetor zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se Artan Grubi ndodhet në Shqipëri, e jo në Kosovë
Më 20 nëntor u pezullua nga puna polici i cili mundësoi arratisjen e Artan Grubit.
Më 20 dhjetor avokati i Grubit Vlladimir Donevski tha se nuk ka bazë për dyshim të kryerjes së veprës penale të parashikuar me ligj.
Më 18 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe ish-drejtorin e ‘Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajamin.
Më 17 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Gjykata Themelore Penale Shkup u caktoi paraburgim prej 30 ditëve Artan Grubit dhe Përparim Bajramit.
Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike në Shkup propozoi paraburgim për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin si të dyshuar për rastin ‘Lotaria Shtetërore’.
Më 16 dhjetor 2024 Policia e RMV-së bastisi shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pas dyshimeve për krim të organizuat në Lotarinë Shtetërore. Asnjëri nga ata nuk u gjetën në shtëpitë e tyre
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike njoftoi se dy persona dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar
Më 16 dhjetor 2024 Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
- LEXO:Paraburgim 30 ditësh për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin, Prokuroria kërkoi fletarrest ndërkombëtar
- LEXO: Artan Grubi vendosi të tërhiqet nga jeta publike pasi SHBA-të e futën në Listën e Zezë
- LEXO: Prokuroria ka formuar lëndë për Artan Grubin, Enver Bexhetin dhe të tjerët që janë në Listën e zezë amerikane
- LEXO: Ish-zëvendëskryeministri i BDI-së, Artan Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion