Autostrada Ohër – Kërçovë do të jetë gati deri në fund të vitit të ardhshëm, premtoi ministri Nikollovski

Deri në fund të vitit të ardhshëm autostrada Ohër – Kërçovë do të jetë gati. Këtë sot nga Ohri e tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, i cili pati takim me kryesinë e kompanisë “Kostal Maqedoni”, raporton MIA. Nikollovski edhe me këtë rast e ceki ndërhyrjen e projektuar keq për ndërlidhjen […]

shkurt 19, 2025 - 21:00
 0  3
Autostrada Ohër – Kërçovë do të jetë gati deri në fund të vitit të ardhshëm, premtoi ministri Nikollovski
Autostrada Kërçovë - Ohër. Foto nga Portalb.mk

Deri në fund të vitit të ardhshëm autostrada Ohër – Kërçovë do të jetë gati. Këtë sot nga Ohri e tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, i cili pati takim me kryesinë e kompanisë “Kostal Maqedoni”, raporton MIA.

Nikollovski edhe me këtë rast e ceki ndërhyrjen e projektuar keq për ndërlidhjen në autostradë, traseja e së cilës, siç theksoi, kalon përmes ndërtimeve të kategorisë A, nga rajoni i mbrojtur i aeroportit në Ohër, përmes pompave të benzinës, spitaleve, hoteleve, objekteve që nuk mund t’i nënshtrohen shpronësimit. Kjo çështje, siç theksoi, do të zgjidhet me vendim ligjor që është në procedurë miratimi, legjislaturë e cila tashmë është miratuar nga Qeveria dhe javën e ardhshme do të dërgohet në Kuvend për miratim.

Për problemet me rrëshqitjet e dheut që shpesh u cekën si shkak për zvarritjen e projektit, ai tha se janë angazhuar ekspertë të huaj, ndërsa zgjidhjet që do të ofrohen prej tyre do t’i kumtohen opinionit.

Sa i përket çmimit përfundimtar të ndërtimit të autostradës Ohër – Kërçovë, Nikollovski tha se do të bëjë gjithçka që të mos dilet nga korniza e fundit e projektuar.

Për një pjesë të marrëveshjes me “Behtel dhe Enka” për ndërlidhjen në autostradë nga Trebenishta deri në Qafë Thanë, Nikollovski theksoi se për aksin nga Podmolja deri në Strugë ka ndalesa strikte nga ana e UNESKO-s për ndërtim në pjesën e mbrojtur të Liqenit të Ohrit, ku potencialisht do të ndodhej aksi përkatës.

Ai tha se muajin e ardhshëm do të ketë takim të nivelit të lartë me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, me kryetarin e komunës së Ohrit dhe me ekspertë, kushtuar kësaj çështjeje.

“Nuk do të shkojmë në kundërshtim të rekomandimeve të UNESKO-s, statusi i rajonit është mjaft i rëndësishëm kështu që do t’u adaptohemi kërkesave të tyre. Nëse do të jetë zhvendosje e trasesë më në veri, trase tërësisht e re apo prerëse nga Podmolja deri në Strugë si lidhëse e autostradës, do ta diskutojmë këtë. Vetëm këtu nuk dua të kufizohem me afate, por që nga vera, kur do të zbresë aksi nga Vërbjani deri në Ohër, ndërkaq vitin e ardhshëm e tërë autostrada, pasqyra tërësisht do të ndryshojë dhe do të flasim në kushte më të relaksuara”, tha ai.

Kryeministri Hristijan Mickoski në tetor të vitit 2024  deklaroi se ka progres në realizimin e autostradës nga Kërçova deri në Ohër, po punohet çdo ditë dhe pret gjysma e parë e autostradës nga fshati Arbinovë deri në Ohër, me përjashtim të një pjese të vogël tek fshati Botun të vihet në përdorim deri në maj të vitit 2025.

Në lidhje me autostradën Kërçovë – Ohër, zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski më 10 korrik kishte premtuar se deri në fund të vitit 2026 autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë dhe do të funksionojë, edhe pse ka probleme të shumta. Ndërtimi i kësaj autostrade ka filluar në vitin 2014 dhe afati i ndërtimit është zgjatur disa herë. Për ndërtimin e autostradës deri më tani janë shpenzuar rreth 440 milionë euro dhe rreth 160 milionë kanë mbetur nga kredia kineze për përfundimin e autostradës.