Ministria e Transportit e Bullgarisë: Ndërtimi i hekurudhës drejt RMV-së nuk është prolonguar
Ndërtimi i hekurudhës drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është prolonguar. Korridori 8 është një prioritet kombëtar për Bullgarinë. Njoftoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Bullgarisë, pas vendimit të qeverisë bullgare dje për të shtyrë modernizimin e segmenteve Sofje–Pernik dhe Pernik–Radomir, të cilat janë pjesë e lidhjes hekurudhore me vendin brenda Korridorit 8, […]


Ndërtimi i hekurudhës drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është prolonguar. Korridori 8 është një prioritet kombëtar për Bullgarinë. Njoftoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Bullgarisë, pas vendimit të qeverisë bullgare dje për të shtyrë modernizimin e segmenteve Sofje–Pernik dhe Pernik–Radomir, të cilat janë pjesë e lidhjes hekurudhore me vendin brenda Korridorit 8, transmeton Portalb.mk.
Ata vlerësojnë se është një spekulim medialtik të thuhet se Bullgaria po shtyn pjesën bullgare të Korridorit 8.
“Linja hekurudhore Radomir–Gueshevë është në funksion dhe pas përfundimit të segmentit nga Guesheva deri në Deve Bajer me gjatësi 2,5 kilometra, përmes një tuneli ndërkufitar do të mund të kyçet me rrjetin e operatorit RMV”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Transportit të Bullgarisë.
Po ashtu theksohet se, ministria e atjeshme me vite bën përpjekje për zhvillim të Korridorit 8, i cili lidh Detin Adriatik me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Me iniciativë të Bullgarisë në vitin 2021, siç shkruhet në njoftim, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Republikës së Bullgarisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në ndërtimin e infrastrukturës së qëndrueshme përgjatë Korridorit 8, si bazë për negociatat, duke u fokusuar në projekte investimi me vlerën më të lartë të shtuar për rajonin dhe për koordinimin dhe zbatimin e përpjekjeve të çdo shteti, si dhe në lidhjen e masave për ndërtimin e territorit të tyre.
Përsëri, me propozimin e Bullgarisë, më 25 nëntor 2022, u miratua një deklaratë e përbashkët e Bullgarisë, Italisë, Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut që konfirmon angazhimin e përbashkët dhe masat konkrete për ndërtimin e infrastrukturës përgjatë Korridorit brenda afateve të parashikuara në udhëzimet për zhvillimin e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, në lidhje me vendimin e qeverisë së Sofjes për shtyrjen e rekonstruksionit të disa segmenteve nga ana bullgare, tha dje se Bullgaria dërgoi një mesazh të qartë politik për angazhimin përkatësisht mos angazhimin e saj për ndërtimin e Korridorit hekurudhor 8.
Ai theksoi se me keqardhje e pranuan informacionin për vendimin e qeverisë bullgare, me të cilin fondet për rikonstruksionin e segmenteve hekurudhore nga Sofja deri në Gueshevë do të ridrejtohen për përfundimin e ashtuquajturit “autostrada hekurudhore Trakija” nga Sofja deri në Burgas.
Qeveria e Bullgarisë së fundmi mori vendimin për shtyrjen e modernizimit të segmenteve Sofja–Pernik dhe Pernik–Radomir, të cilat janë pjesë e lidhjes hekurudhore me këtë vend në kuadër të Korridorit 8.